PRESIDENCA TREPALËSHE E BOSNJE-HERCEGOVINËS DISKUTON MË 17 SHTATOR KËRKESËN PËR NJOHJEN E KOSOVËS

Anëtarët e presidencës trepaleshe të Bosnje-Hercegovinës, kanë vendosur që të mbajnë dy seanca të jashtëzakonshme më 17 shtator, në të cilat do të diskutohet çështja e njohjes së Kosovës dhe zhvendosjes së ambasadës së Bosnjës nga Tel Avivi në Jerusalem. Kërkesa për të shqyrtuar njohjen e Kosovës është bërë nga anëtari i presidencës, Zhelko Komshiq dhe tjetra për zhvendosjen e ambasadës nga anëtari tjetër i presidencës, Millorad Dodik. Javën e kaluar, Serbia, në kuadër të një marrëveshjeje me Kosovën, të nënshkuar në Uashington, ka rënë dakord për zhvendosjen e ambasadës së saj nga Tel Avivi në Jerusalem. Presidenca e Bosnje-Hercegovinës mbajti konsultime të mërkurën, në të cilën po ashtu vendosi që seanca e rregullt e Presidencës do të mbahet më 17 shtator, në të cilën do të disktohet kërkesa e anëtarit të presidencës, Millorad Dodik për t’u bashkuar me nismën “mini-Shengen”. Serbia dhe Kosova me marrëveshjen për normalizimin ekonomik të nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, janë pajtuar t’i bashkohen zonës së mini-Shengenit, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019.

SHARE