INFLACIONI U RRIT NË 8.3 PËR QIND / ÇMIMET E USHQIMEVE NË NIVELE REKORD

Nuk ka të ndalur rritja e çmimeve! Shtrenjtimi i fortë i ushqimeve dhe karburanteve veçanërisht ka bërë që edhe tetorin inflacioni të kërcejë në 8.3% sipas Institutit të Statistikave, norma më e lartë e regjistruar që prej vitit 1998, duke reflektuar goditjen e fortë të krizës së çmimeve në vend. Rritja ka rezultuar dyshifrore për këto dy grupe krahasuar me tetorin e shkuar duke rënduar edhe më tej buxhetet e familjeve shqiptare. Brenda grupit të ushqimeve rritjen më të madhe e kanë parë produktet e vajit e yndyrnave, produktet e bulmetit por edhe ato të fruta perimeve. Por, kostot janë rritur edhe për të gjitha mallrat e shërbimet e tjera pasi Instat raporton se shtrenjtimi i çmimeve nuk është ndalur as për grupet e tjera të marra në analizë e që ndikojnë ecurinë e inflacionit. Më shtrenjtë po paguajnë qytetarët për ujin e energjinë, për shërbimet arsimore e shëndetësore, të arredojnë e mobilojnë shtëpitë apo të komunikojnë pasi rritja e çmimeve ka qenë e konsiderueshme, ndërsa tashmë shtrenjtimi vijon edhe për kafenetë e restorantet. Ndërsa çmimet nuk ndalen, Banka e Shqipërisë vijon me politikën e saj shtrënguese për të zbutur goditjen e tyre. Pak ditë më parë, për herë të pestë brenda pak muajsh ndërhyrë sërish duke rritur normën bazë të interesit në 2.75%. Dukshëm, inflacioni i rritur është kthyer në sfidën kryesore të ekonomisë shqiptare dhe mund të cenojë rritjen e qëndrueshme të saj.

SHARE