POLICË DHE CIVIL TË PLAGOSUR GJATË TRAZIRAVE NË BEOGRAD

Trembëdhjetë policë dhe shtatë civilë u plagosën gjatë trazirave të së martës mbrëma në Beograd, për shkak të paralajmërimeve për orë policore.

Siç raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, të gjithë të plagosurit u transportuan në Akademinë Mjekësore Ushtarake.

Protestuesit, mbi 1,000 sish, u mblodhën në qendër të Beogradit, pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi rikthimin e orës policore në fundjavë, për shkak të rritjes së numrit të rasteve me koronavirus.

Përleshjet shpërthyen pasi një grup protestuesish u përpoq të hyjë në ndërtesën e Kuvendit të Serbisë, duke bërë që policia të hidhte gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Turma pranë hapësirës së kuvendit u shpërnda rreth orës 1:30 pas mesnate.

Vuçiq tha të martën se, nisur nga sot, tubimet do të kufizohen në pesë njerëz dhe se do të kërkojë nga grupi punues i qeverisë kundër koronavirusit që të shpallë orë policore në fundjavë.

Të martën, autoritetet shëndetësore në Serbi thanë se kanë regjistruar 13 viktima nga koronavirusi në 24-orëshin paraprak dhe 299 raste të reja.

“Duhet t’i mbrojmë qytetarët, kështu që nuk më interesojnë reagimet politike dhe protestat”, tha Vuçiq. Në total, Serbia ka regjisrtuar mbi 16,000 raste me koronavirus dhe 330 viktima.

SHARE