ABAZOVIQ DHE RAMA PREZANTUAN PROJEKTIN E NDËRTIMIT TË URËS NË BUNË

Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq dhe kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë takimit të sotëm dypalësh në margjinat e Iniciativës së Samitit të Hapur të Ballkanit prezantuan para publikut një projekt të përbashkët infrastrukturor për ndërtimin e urës mbi Bunë, e cila do të lidhë Ulqinin me Velipojën. “Jam shumë i lumtur për këtë projekt dhe kjo është diçka për të cilën folëm në Tiranë verën e kaluar. Tani jemi shumë afër fillimit të realizimit të kësaj ideje. Mali i Zi ka ndarë një pjesë të buxhetit të këtij viti vetëm për ndërtimin e kësaj ure. Ne do të nënshkruajmë një Memorandum Bashkëpunimi në të cilin do të specifikohen obligimet e të dyja palëve”, ka thënë Abazoviq. Ai shtoi se ky projekt, pra ura, është i rëndësishëm jo vetëm sepse do të zvogëlonte gjatësinë e rrugës që lidh këto dy qytete dhe dy shtete, por edhe sepse kjo zonë ka potencialin të jetë një destinacion shumë tërheqës turistik në të cilën sigurisht do të kontribuonte ndërtimi i një ure. “Duhet të krijojmë një marrëveshje dhe të kuptojmë buxhetin total të njëri-tjetrit për këtë investim. Ne jemi pro dhe projekti është fantastik. Ura do të mundësonte një komunikim shumë më të mirë mes dy vendeve”, theksoi Rama. Sipas një komunikate nga Zyra e Kryeministrit, Buxheti për vitin 2022 ka ndarë rreth 3.500.000 euro për ndërtimin e projektit të përmendur infrastrukturor. Rreth 34 km plazhe ranore të pashfrytëzuara në zonën e dy vendeve, ka një kërkesë prej rreth 500 mijë turistë në vit. Po ashtu, u theksua se distanca aktuale ndërmjet Ulqinit dhe Velipojës është rreth 73 km dhe se me ndërtimin e urës do të reduktohej në rreth një kilometër. “Kjo jo vetëm që do të reduktonte distancën midis qyteteve dhe vendeve, por gjithashtu do të pasuronte ofertën turistike të atyre zonave. Ne po i afrojmë qytetarët, do të forcojmë ekonominë. Qëllimi është zhvillimi i vendit nga veriu në det,” tha Abazoviq.

SHARE