MALI I ZI ËSHTË NJË VEND IDEAL PËR TË RINGJALLUR PROCESIN E ZGJERIMIT TË BE-së

Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq vlerësoi se Mali i Zi është një vend ideal që mund të ringjallë procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE) dhe se hyrja e vendit tonë në BE nuk është vetëm në interes të Podgoricës zyrtare, por edhe të Austrisë. Në Vjenë, në një konferencë për media me kancelarin austriak Karl Nehamer, ai tha se Mali i Zi i ka të gjitha karakteristikat dhe se është një vend ideal që mund të ringjallë procesin e zgjerimit sipas rezultateve të arritura. Ky, thekson ai, do të ishte një “ndikim pozitiv për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që edhe ato të ecin më shpejt në rrugën evropiane”. Ai u pajtua me kancelarin austriak se nuk është në interes vetëm të Malit të Zi të bëhet anëtar i BE-së, por edhe të Austrisë, për të treguar solidaritet më të madh në Evropë. “Austria mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm të jashtëm politik dhe strategjik të Malit të Zi”, tha Abazoviq, duke thënë se turistët austriakë janë të mirëpritur në Mal të Zi.

SHARE