Përfaqësuesit e partive të mazhorancës sot me ftesë të kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi Alleksa Beçiq, mbajtën takimin me qëllim zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe të rëndësishme për përshpejtimin e rrugës evropiane të Malit të Zi. Përfaqësuesit e shumicës së partive politike, ranë dakord të vazhdojnë dialogun për zgjidhjen e krizës politike për fillimin e gushtit. Një takim i ri i planifikuar për në gusht duhet të krijojë një metodologji për zhbllokimin e gjyqësorit. Kryetari i Parlamentit, Beçiq, propozoi ndryshime në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, sipas të cilit zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen deri në fund të vitit, do të shtyhen dhe do të mbahen në të njëjtën ditë në Mars të vitit të ardhshëm. Një zgjidhje e tillë ekzistonte në vitin 2006. Pas takimit, Beçiq u tha gazetarëve se pozicioni i Malit të Zi Demokratik është i qartë, duke deklaruar se ai është kundër përmbysjes së Qeverisë dhe zgjedhjeve të reja. Sipas tij, disa kolegë nga opozita shprehën idenë se Mali i Zi ka nevojë për një qeveri kalimtare. Beçiq thotë se partia e tij është për rindërtimin e qeverisë me të njëjtin kryeministër. Ai pajtohet që situata aktuale politike është komplekse, duke shtuar se nuk kemi nevojë për zgjedhje të reja. Fronti Demokratik (FD), Partia e Punëtorëve dhe Mali i Zi i Vërtetë kanë paralajmërua se nuk do të marrin pjesë në takimin e sotëm, ndërsa disa parti të opozitës ishin prezente. Në takim morën pjesë edhe përfaqësuesit e dy listave shqiptare, Nik Gjeloshaj nga “Lista Shqiptare” si dhe Fatmir Gjeka nga koalicioni “Bashkë nji za”. Më ftesën dërguar kryetarve të partive në pushtet dhe opozitës, kryetari Beçiq deklaroi se përshpejtimi i rrugës evropiane të Malit të Zi, si një qëllim kryesor i politikës së jashtme rreth të cilit ekziston një konsensus politik në shoqëri dhe mbështetje e madhe nga qytetarët, është detyrimi i tyre i përbashkët. “Në atë rrugë, partnerët tanë evropianë kanë pritje të mëdha nga kjo përbërje e parlamentit malazes, domethënë nga subjektet politike parlamentare të qeverisë dhe opozitës,” tha Beçiq. Ai deklaroi se për shumë vite tani, Mali i Zi ka dështuar të reformojë legjislacionin zgjedhor, të zgjidh situatën në gjyqësor dhe problemin e proceseve zgjedhore të vazhdueshme në nivelin lokal, të cilat shumë shpesh paralizojnë sistemin në tërësi. Siç tha ai, një shumicë prej dy të tretave ose tre të pestave në Kuvend është e nevojshme për të zgjidhur shumë nga këto çështje. Beçiq tha se dialogu është mënyra e vetme për një zgjidhje, “dhe pa dialog, ne sigurisht jemi të dënuar për dështim.”