STOLTENBERG I SHQETËSUAR PËR KOSOVËN / ‘SULMET NDAJ KFOR TË RREZIKSHME’

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka paralajmëruar se se dhuna po e kthen prapa Kosovën dhe gjithë rajonin.

Ai tha se NATO dënon fuqishëm sulmet e fundit të paprovokuara ndaj trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, në të cilat u plagosën pothuajse 40 paqeruajtës.

“Sulme të tilla janë të papranueshme dhe duhet të ndalen. Si Prishtina ashtu edhe Beogradi duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të de-përshkallëzuar situatën, të përmbahen nga sjelljet e mëtejshme të papërgjegjshme dhe të angazhohen në dialog me mbështetjen e BE-së, e cila është e vetmja rrugë për paqe të qëndrueshme”, tha ai.

Sekretari i NATO-s foli edhe për rritjen e prezencës në Kosovë pas shpërthimit të tensioneve në veri.

“Po dërgojmë në Kosovë edhe rreth 500 ushtarë të tjerë nga rezerva operative për Ballkanin Perëndimor dhe kemi vënë në gatishmëri një batalion shtesë rezervë, që edhe ata të dislokohen sipas nevojës. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i ka forcat dhe aftësitë që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij. NATO do të vazhdojë të luajë rolin e saj për të mbështetur sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor,” tha Stoltenberg.

SHARE