GJELOSHAJ: PËRFAQËSUESIT E KOMPANIVE AMERIKANE QË DO TË VIZITOJNË MALIN E ZI, MUNDËSI PËR TË THELLUAR LIDHJET E NGUSHTA EKONOMIKE

Foto: Nik Gjeloshaj/Facebook/

Përfaqësuesit e kompanive amerikane do të vizitojnë Malin e Zi të hënën, gjë që do të jetë një mundësi për thellimin e lidhjeve të ngushta ekonomike mes dy vendeve, tha zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj.

“Vetëm tre muaj pas vizitës zyrtare të delegacionit qeveritar në Uashington, të cilën unë e udhëheqa dhe ku në emër të Malit të Zi, kam nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit Ekonomik ndërmjet Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), jemi në rrugë të mbarë për të ndërmarrë një hap tjetër progresiv në këtë fushë”, tha Gjeloshaj në një deklaratë.

Ai tha se suksesi dhe produktiviteti i atij Memorandumi është i dukshëm në vepra, prandaj kompanitë më prestigjioze amerikane kanë shprehur interesim për përmirësimin e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike me Malin e Zi.

Siç është komunikuar për media, Gjeloshaj do të presë zyrtarisht përfaqësues të kompanive amerikane në emër të Qeverisë së Malit të Zi.

“Numri historik i kompanive amerikane që do të vizitojnë Malin e Zi në kuadër të Shoqatës së Biznesit Amerikano-Evropiane Qendrore (ACEBA-s) do të përfaqësojë një mundësi të shkëlqyer për të thelluar lidhjet tona të ngushta ekonomike, e cila promovohet edhe në bazë të Memorandumit që hap dyert për zhvillimin konkret dhe bashkëpunimin investues”, tha zëvendëskryeministri.

Gjeloshaj thotë se është më krenar se kurrë për nënshkrimin e Memorandumit dhe institucionalizimin e partneritetit të tyre, i cili do të rezultojë me ardhjen e kapitalit amerikan në Mal të Zi.

“Unë personalisht, por edhe Qeveria e konsiderojmë këtë shumë të rëndësishme dhe me shkëmbimin e përvojave dhe angazhimin e kompanive amerikane do të arrijmë rritje dhe progres ekonomik në të mirë të të gjithë qytetarëve. Ne po ecim përpara me vendosmëri drejt zhvillimit të përgjithshëm, së bashku me aleatët tanë të dëshmuar amerikanë, tani dhe përgjithmonë”, theksoi Gjeloshaj.

SHARE