GJYKATA KUSHTETUESE MBYLL SEANCËN PËR METËN, BRENDA 30 DITËSH JEPET VENDIMI

Gjykata Kushtetuese përfundoi seancën të hënën ku u shqyrtua kërkesa e Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e presidentit, Ilir Meta. Nga ky moment, Gjykata Kushtetuese ka 30 ditë kohë për të dhënë vendimin. Seanca për presidentin ishte shtyrë për këtë javë, pas kërkesës së përfaqësuesve të presidentit, të cilët kërkuan kohë që të paraqisnin argumentet e tyre pas 70 pyetjeve të drejtuara kësaj pale nga trupi gjykues i Kushtetueses. Në seancën e fundit, përfaqësuesit e presidentit kundërshtuan procedurën që ishte ndjekur nga Parlamenti për ngritjen e Komisionit hetimor për shkarkimin e kreut të shtetit, duke argumentuar se ngritja e vetë Komisionit ishte shkelje e Kushtetutës. Deputetët e Partisë Socialiste kishin themeluar një Komision hetimor për ta hetuar presidentin Meta për shkeljen e Kushtetutës para dhe gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve qendrore në prill të vitit 2021. Në rast të një shkarkimi të mundshëm, Meta automatikisht nuk mund të ushtrojë më asnjë kompetencë dhe rolin e tij e merr kreu i Kuvendit. Meta është zgjedhur President më 28 prill 2017 me 87 vota, me mbështetjen e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilën e drejtonte vetë Meta. Mandati i presidentit është pesëvjeçar dhe roli i tij është kryesisht protokollar.

SHARE