GJUKANOVIQ: MBËSHTETJE PO, NDËRSA PJESË E QEVERISË SË PAKICAVE JO

“Ne do të mbështesim çdo qeveri që do të ruajë karakterin qytetar dhe laik të Malit të Zi, do të promovojë demokracinë multietnike dhe do të kontribuojë në zhvillimin dinamik ekonomik, në mënyrë që Mali i Zi, si një vend i zhvilluar demokratikisht dhe ekonomikisht, të jetë pjesë e Bashkimit Evropian në të ardhmen e afërt”, thotë presidenti i Malit të Zi Mlilo Gjukanoviq, në një intervistë për Dojçe Velle. Ai pohon se vendi i tij tani është “në proces të konsolidimit të pushtetit” dhe se interesi më i madh i Malit të Zi është që sa më shpejt të ketë një qeveri të përgjegjshme. Gjukanoviq thotë se Partia e tij i ka ofruar mbështetje qeverisë pakicë edhe pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, duke besuar se “do të jetë shumë e rrezikshme për Malin e Zi, nëse koalicioni qeverisës bëhet kaq i varur nga nacionalizmi serbomadh”. Sipas Gjukanoviqit, qeveria e deritanishme përbëhej nga tre koalicione, “njëri prej të cilëve ishte koalicion i profilizuar qartë i Serbisë së Madhe. Ne kemi menduar, se nëse një qeveri e tillë përcakton politikën shtetërore, kjo do të ishte shumë e rrezikshme për Malin e Zi”. Ndërsa sot, presidenti thotë se është i gatshëm të mbështesë qeverinë e pakicës në mënyrë që Mali i zi të ecë drejt evropës. Jemi gati ta mbështesim atë, por jo të jemi pjesë e saj – thotë Gjukanoviq duke shtuar se u deshën 14 muaj për të kuptuar se jo cdo ndryshim është i mirë. Duke folur për zgjedhjet e shkuara, ai thotë se Partia e tij e ka kuptuar saktë mesazhin e votuesve dhe ka punuar e po punon për të eleminuar dobësitë dhe për tu reformuar. E pas kësaj, Partia Demokratike e Socialistëve, është e gatshme të rikthehet, tani, pas një, dy apo tre vitesh. “Nuk ka asnjë nxitim, ne po tregojmë përgjegjësi edhe nga bankat e opozitës”, tha Gjukanoviq.

SHARE