NË VITIN 2023, MË SHUMË SE 800 MILIONË EURO PROKURIME

Të obliguarit për zbatimin e Ligjit për Prokurim Publik në vitin 2023 kanë kontraktuar gjithsej 809,301,703 euro prokurime, prej të cilave 134,104,801 euro janë blerje të energjisë elektrike dhe qymyrit, ndërsa 675,196,902 euro janë prokurime publike.

Kështu thuhet në Raportin Vjetor të Prokurimit Publik për vitin 2023, i cili është miratuar sot nga Qeveria.

“Raporti është rezultat i aktiviteteve të kryera nga Ministria e Financave me mbledhjen e të dhënave nga sistemi elektronik i prokurimit publik, si dhe përpunimin dhe analizimin e tyre. Të dhënat janë futur nga 681 persona të detyruar të zbatojnë ligjin, në përputhje me detyrimin ligjor, deri më 28 shkurt 2024”, njofton Qeveria.

Të dhënat e lartpërmendura, siç tha Qeveria, tregojnë një rritje krahasuar me një vit më parë, e cila, siç u shpjegua, mund të jetë pasojë e rritjes së përgjithshme të çmimeve të mallrave, punëve dhe shërbimeve që kanë prokuruar subjektet e Ligjit për Prokurim Publik në periudhën raportuese.

Rrjedhimisht, siç thonë ata, është rritur edhe përqindja e prokurimit publik në PBB, por ende është brenda vlerave mesatare.

“Duke qenë se kuadri i ri legjislativ ka hyrë në fuqi në fillim të vitit, fokusi i aktiviteteve të Ministrisë së Financave gjatë periudhës raportuese ishte forcimi i kapaciteteve administrative dhe ngritja e nivelit të profesionalizimit të punonjësve në fushën e prokurimit publik,“ thuhet në njoftim.

Në seancë u theksua se në kuadër të procesit të anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, kapitulli 5 i negociatave – prokurimi publik është ndër të parët për të cilin pritet të marrë një raport pozitiv për përmbushjen e kritereve të përkohshme për mbyllje. Qeveria thekson se kjo dëshmon për progres në reformat e kryera në kuadër të kësaj politike.

SHARE