KKSH:  REAGIMI PUBLIK LIDHUR ME NDALIMIN E QYTETARIT PËR SHFAQJEN E SIMBOLEVE KOMBËTARE 

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi shpreh shqetësimin dhe dënon veprimet e zyrtarëve të Policisë, Filialit të Sigurisë Ulqin, të cilët kanë ndaluar dhe procesuar qytetarin me kombësi shqiptare të Komunës së Ulqinit për shkak të shpalosjes së simbolit kombëtar (flamurit) në veturën e tij, më datë 28 nëntor 2018, datë që shënon Ditën e Flamurit Kombëtar, ditë feste për shqiptarët.

“Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve e konsideron të papranueshme dhe tendencioze veprimet tashmë të përsëritura të zyrtarëve të Policisë në Mal të Zi, rasti i fundit në Ulqin, të cilët në zbatim të nenit 23 të Ligjit për rendin dhe qetësinë publike, procesojnë qytetarët me përkatësi etnike shqiptare për shkak të shpalosjes së simboleve kombëtare (me argumentin se kanë paraqitur në vende publike simbolin e një shteti tjetër e që dënohet sipas ligjit) e drejtë kjo që pakicave kombëtare iu garantohet me Kushtetutën e Malit të Zi neni 79 pika 2 dhe po ashtu me Ligjin aktual për përdorimin e simboleve kombëtare neni 1, 2 dhe 3”, thuhet në kumtesë të KKSH-së.

Siç

kumtojnë nga KKSH, Këshilli Kombëtar, që në vitin 2012 i ka dërguar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Malit të Zi, shkresën së bashku me Flamurin Kombëtar, përmes të cilës e  kanë njoftuar organin përkatës se cili është simboli kombëtar i shqiptarëve në Mal të Zi, e që pakicat kombëtare (në rastin tonë shqiptarët) kanë të drejtën e përdorimit të lirë të tij, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin aktual për përdorimin e simboleve kombëtare.

Siç sqarojnë përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar për këtë rast kanë njoftuar dhe do të informojnë zyrtarisht të gjitha organet relevante shtetërore në Mal të Zi dhe ato ndërkombëtare të cilat monitorojnë implementimin e të drejtave të pakicave kombëtare.  Po ashtu, theksojnë se Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve mbështet plotësisht iniciativën e nënkryetarit të Parlamentit  të Malit të Zi, deputetit Genci Nimanbegut, për ndryshimin e Ligjit për rendin dhe qetësinë publike, konkretisht shfuqizimin e nenit 23 të këtij ligji, thuhet në reagimin e KKSH-së, të nënshkruar nga kryetari Faik Nika.

Ndërkaq, siç shkruan gazeta e përditshme “Vijesti”, nga shtëpia e Emin Beqoviq nga fshati Milesh, policia malazeze heq dhe merr me vete flamurin shqiptar, i cili valonte në shtëpinë e tij.

Po sipas gazetës “Vijesti”, ditën e djeshme, Beqoviq merret në pyetje nga policia malazeze dhe dërgohet në pyetje në gjykatën për vepra penale në Podgoricë.

SHARE