KAOSI NË BRITANI, TURMA HYN NË HOTELIN ME AZILKËRKUES DHE I VË FLAKËN

Protestat në Britaninë e Madhe duket se nuk do të ndalen.

Ato arritën kulmin gjatë ditës së djeshme kur një turmë e ekstremit të djathtë sulmoi një hotel në qytetin anglez Rotherham, i cili dyshohet se strehonte azilkërkues. Policia ndërhyri por nuk mundi të ndalë zemërimin e turmës së njerëzve.

Zyrtarët lokalë i përshkruan këto akte jo si protestë, por si një dhunë brutale.

BBC raportoi se disa sulmues të maskuar hynë në hotel. Paraprakisht ata vendosën në derën e hotelit një kosh të madh plehrash, të cilit i kishin vënë flakën. Protestuesit nuk i kursyen as gurët në drejtim të policëve. Të paktën një oficer policie u plagos.

“Nxirrini jashtë”, thërrisnin protestuesit duke iu referuar azilkërkuesve.

Këto protesta të dhunshme ku marrin pjesë qindra grupe kundër imigracionit, kanë shpërthyer në qytete në gjithë Britaninë pas vrasjes së 3 vajzave në një sulm me thikë në një klasë vallëzimi për fëmijë në Southport, në pjesën perëndimore të vendit javën e kaluar. Grupet anti-imigracion dhe anti-myslimane morën shkas nga këto vrasje për të protestuar pasi u përhapën informacione të rreme se i dyshuari ishte një emigrant radikal islamik.

SHARE