NË 16 METRA KATRORË DY KARRIGE PLAZHESH DHE NJË ÇADËR

Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit Damir Davidoviq thotë se epidemiologët do të vendosin kur do të hapen kufijtë. 

Ai sqaron se është planifikuar të hapen të gjitha objektet hotelierike në 18 maj dhe se tashmë janë duke u përgatitur standardet shëndetësore, të cilat do të duhet të sigurohen për funksionimin e tyre të sigurt.


“Ne të gjithë synojmë mbrojtjen e shëndetit, dhe ne jemi mësuar tashmë me standardin e ri të distancës sociale që do të mbetet kështu derisa të vihet në dispozicion vaksina,” tha Davidoviq për TV Prva. 

“Do të jetë një lloj turizmi i ri, i kontrolluar,” thotë Davidoviq, duke shpjeguar se çfarë mund të thotë kjo.


“Në 16 metra katrorë të plazhit do të lejohen të vendosen dy karrige dhe një cadër, përveç nëse bëhet fjalë për një familje shumë anëtarëshe, dhe kjo vlen edhe për ata që nuk duan karrige, por duan të qëndrojnë në peshqirët e tyre,” tha Davidoviq. 


Ai gjithashtu theksoi se karriget dhe pajisjet e tjera do të dezinfektohen çdo ditë sepse dëshira e të gjithëve është “të ndjehen të sigurt, por edhe të mbajnë ndjenjën e pushimit”.
Kur bëhet fjalë për hapjen e kufijve, Davidoviq thotë se situata me koronavirusin në Mal të Zi është e mirë, por për hapjen e kufijve është e nevojshme që edhe vendet e tjera të kenë rezultate të tilla. 

“Nëse e dimë se ekziston një pikë e rrezikshme me të infektuar diku, nuk do të ishte e natyrshme për ne të hapnim kufij dhe të pranojmë turistë nga ato vende”, thotë ai dhe kujton se idetë në nivelin e BE-së janë prezantimi i pasaportave shëndetësore dhe certifikatave që do të lejonin njerëzit të udhëtojnë nga një vend në tjetrin.  

SHARE