GJUROVIQ: SJELLJA E GJUKANOVIQIT ËSHTË E PAPRANUESHME

Presidenti në largim i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, refuzon të shpallë ligjet e miratuara nga Kuvendi, gjë që është sjellje e papranueshme, tha kryeparlamentarja Danijela Gjuroviq.

Në seancën e sotme, Gjuroviq tha se Gjukanoviqit i janë dërguar ratifikimet e marrëveshjeve ndërkombëtare për realizimin e projekteve të rëndësishme të infrastrukturës, si dhe ndryshimet e riaprovuara të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, të cilin Kuvendi e votoi më 20 mars. “

Megjithatë, ai refuzon të veprojë sipas tyre. Ai as nuk i kthen dhe as nuk i shpall. Kemi një situatë të rëndë të bllokimit të institucionit dhe sistemit dhe e konsideroj të papranueshme sjelljen e presidentit aktual të vendit”, tha Gjuroviq.

Ajo shtoi se pret që presidenti i sapozgjedhur të respektojë vendimet e parlamentit pas inaugurimit dhe të shpallë ligjet në pritje.

“Dhe ligjet e miratuara dje janë dërguar në zyrën e presidentit. Do të shohim se si do të trajtohen”, tha Gjuroviq.

SHARE