HAPET KALIMI KUFITAR CEMI I TRIESHIT – GRABOM

Sot u bë hapja zyrtare e kalimit të ri kufitar në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, Cemi i Trieshit – Grabom. Në hapje ishin prezent kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i Malit të Zi Zdravko Krivokapiq, zv.kryeministri Dritan Abazoviq, i ngarkuari me punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi Herman Shpic, kryetari i komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve nga të dy vendet. Ky vendkalim kufitar nisi ndërtimin në vitin 2017 me mbështetjen e Bashkimit Evropian në kuadër të programit IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Mali i Zi – Republika e Shqipërisë, të gjitha me qëllim lidhjen e Podgoricës dhe Gucisë përmes territorit të Republikës së Shqipërisë. Punimet e ndërtimit kushtuan rreth 720,000 euro, nga të cilat Bashkimi Evropian siguroi pothuajse gjysmë milioni euro. Hapja e vendkalimit të përbashkët kufitar me Republikën e Shqipërisë synon valorizimin e gjithanshëm të burimeve turistike, natyrore dhe ekonomike të të dy vendeve. Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq njoftoi se ky është kalimi i dytë i përbashkët kufitar me Shqipërinë. “Ky është një konfirmim i forcimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, lidhjeve, aftësive tona dhe valorizimit të gjithçkaje që kemi në zonën kufitare. Kjo është dëshmi se së bashku ne mund të bëjmë shumë dhe se nuk mund të bëjmë asgjë pa njëri-tjetrin, ne duhet ta ndryshojmë këtë botë me njëri-tjetrin,” theksoi Krivokapiq.Kryeministri Edi Rama, tha se në këtë pikë të re kufitare me Malin e Zi qëllimi është që njerëzit e rajonit të ndjehen dhe të jenë të lirë si në BE. ” Qëllimi ynë që njerëzit tanë të ndjehen dhe të jenë të lirë si në BE. Kjo është ajo që ndodh brenda Bashkimit Europian. Ku ka 2 pika bashkimit mes 2 vendeve nuk ka barriera, nuk ka pika kontrolli dokumentesh. Edhe në këtë synojmë këtu. Që të realizojmë 4 liritë e BE-së, lëvizje e lirë e mallrave, njerëzve, kapitaleve dhe shërbimeve. Ky është dhe qëllimi i nismës që ne kemi ndërmarrë me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, që synon pikërisht që njerëzit të ndjehen të lirë, të lëvizin të lirë. ‘Dua ta falenderoj palën malazeze për realizimin e këtij investimi sepse prej sakohësh e kishim kryer investimin dhe tani pika doganore e dytë që na bashkon dhe nuk duhet të na ndajë. Uroj shumë që me kryeministrin Krivokapiq, Abazoviq, ne të përparojmë dhe Mali i Zit ë përfshihet në iniciativën e Ballkanit të Hapur,” tha Rama. Zv. Kryeministri Dritan Abazoviq në rrjetin social Twitter tha se me hapjen e këtij kalimi kufitar u bë bashkimi i Podgoricës me Plavën dhe Gucinë, largësia në mes të cilave tani është vetëm 90 km, çka krijon mundësi të reja për zhvillimin e veriut të vendit.

SHARE