MACRON: FRANCA DO TA MBËSHTESË MALIN E ZI DERI NË ANËTARËSIMIN NË BE

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Francës, Emanuel Macron, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Mal të Zi, deklaroi se Franca dëshiron të thellojë bashkëpunimin dhe miqësinë me Malin e Zi përmes marrëveshjeve të rëndësishme në fushat e energjisë, mbrojtjes, shëndetësisë dhe sigurisë kibernetike.

Ai vlerësoi përparimin e Malit të Zi në procesin e reformave dhe theksoi se vendi ka dëshmuar aftësi për të mbrojtur identitetin, sovranitetin dhe orientimin e tij evropian.

Macron tha se Franca do të vazhdojë ta mbështesë Malin e Zi në fazën përfundimtare të rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, sa më shumë reforma të realizohen dhe sa më i gjerë të jetë konsensusi politik në vend, aq më e lehtë do të jetë sigurimi i mbështetjes së vendeve anëtare të BE-së për pranimin e Malit të Zi.

Ai porositi qytetarët dhe institucionet malazeze të besojnë në suksesin e tyre dhe të vazhdojnë punën me vendosmëri.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, e cilësoi vizitën e Macronit si një ngjarje me rëndësi të veçantë shtetërore dhe një dëshmi të fortë të miqësisë mes dy vendeve.

Ai tha se vizita përfaqëson një njohje të rëndësishme për rrugën evropiane të Malit të Zi dhe për përparimin që vendi ka arritur në vitet e fundit.

Millatoviq theksoi se marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Francës janë në zhvillim të vazhdueshëm dhe se marrëveshjet që do të nënshkruhen do të hapin rrugën për projekte të rëndësishme të përbashkëta.

Ai shprehu bindjen se Mali i Zi do të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian në vitin 2028, duke vlerësuar se mbështetja e partnerëve evropianë dhe organizimi i samitit BE–Ballkani Perëndimor janë sinjale të qarta të besimit që Evropa ka ndaj vendit.

SHARE