BE-ja NJEH AKTIVITETET E BANKËS QENDRORE TË MALIT TË ZI PËR TË RUAJTUR STABILITETIN FINANCIAR

Banka Qendrore e Malit të Zi është absolutisht e përkushtuar në procesin e negociatave dhe do të vazhdojë t’i përmbushë të gjitha obligimet nga ky proces, në mënyrë që Mali i Zi sa më shpejt të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, tha guvernatorja e Bankës Qendrore të Malit të Zi, Irena Radoviq në një takim me shefen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Oana Kristina Popa.

Në takim, siç thuhet në komunikatë, është biseduar për Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor të Bashkimit Evropian, i cili synon t’u mundësojë vendeve të këtij rajoni të përfitojnë nga përfitimet e anëtarësimit në BE para anëtarësimit të tyre zyrtar.

„Anëtarësimi në zonën e vetme të pagesave në euro (SEPA) është një nga aktivitetet prioritare nga Plani i Rritjes, përmes të cilit do të përshpejtohet integrimi ekonomik i rajonit”, theksoi Popa.

Bashkimi Evropian, tha ambasadorja, njeh aktivitetet intensive të BQMZ që synojnë ruajtjen e stabilitetit financiar dhe harmonizimin e kuadrit rregullator të brendshëm me direktivat e BE-së, si dhe proaktivitetin e këtij institucioni në përgatitjen e aplikacionit për SEPA.

Ambasadorja e BE-së njoftoi se BQMZ mund të llogarisë në mbështetjen e Bashkimit Evropian në zbatimin e reformave nga agjenda evropiane.

Guvernatorja Radoviq falënderoi ambasadoren Popa për mbështetjen që Bashkimi Evropian i jep Malit të Zi përmes financimit të projektit për Modernizimin e Sistemeve të Pagesave të Ballkanit Perëndimor, si dhe përmes projekteve të tjera të shumta që ndihmuan BQMZ për të ndërtuar dhe forcuar kapacitetet e saj institucionale, rregullatore dhe administrative.

SHARE