QEVERIA NDAN 10 MIJË EURO PËR KALANË E ULQINIT E 200 MIJË EURO PËR BUJANOCIN

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se qeveria që drejton ka ndarë 10 mijë euro për Kalanë e Ulqinit dhe 200 mijë për Komunën e Bujanocit, për të sanimin e dëmeve nga vërshimet e fundit në këto vende. “Qeveria në detyrë vazhdon të kryejë me përkushtim detyrat që burojnë nga mandati i saj. Në takimin online, Qeveria në detyrë ka marrë një sërë vendimesh, midis tyre: 10 mijë euro janë ndarë për rindërtimin e Kalasë së Ulqinit, pas dëmeve të shkaktuare nga vërshimet në Mal të Zi. Me 200 mijë euro do të ndihmohet Komuna e Bujanocit për sanimin e dëmeve nga vërshimet. Qeveria ka ndarë 12 milionë euro për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për subvencione dhe transfere. Qeveria ka autorizuar Klinikën e Ortopedisë në SHSKUK që në koordinim me MPMS-në dhe me Shoqatën e Invalidëve të Luftës së UÇK-së, të bëjë furnizimin dhe rregullimin e protezave dhe ofrimin e shërbimeve të tjera për nevoja të invalidëve të luftës së UÇK-së. Të gjitha shpenzimet për realizimin e këtyre shërbimeve do të mbulohen nga Buxheti i Republikës së Kosovës, në pajtim me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Hoti. Po ashtu për punën e Këshillit Organizativ për shënimin e trembëdhjetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës janë ndarë mjete financiare në vlerë prej 70 mijë euro.

SHARE