NOVAKOVIQ GJUROVIQ: NDALOHET PËRDORIMI I QESEVE TË LEHTA PLASTIKE

Qeveria në seancën e sotme me propozim të Ministrisë së Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit miratoi Projektligjin për menaxhimin e mbeturinave.

“Ky është ligji më i rëndësishëm në fushën e mbrojtjes së mjedisit. Zbatimi i këtij ligji mund të ndryshojë pozitivisht në mënyrë të përhershme fytyrën ekologjike të Malit të Zi. Një risi e rëndësishme e paraparë me ligj është ndalimi i përdorimit të qeseve të lehta plastike për bartje, me trashësi prej 15 deri në 50 mikron, në pikat e shitjes së mallrave apo produkteve”, tha ministrja Ana Novakoviq Gjuroviq.

Ndalimi i lartpërmendur, siç ka bërë të ditur ajo, do të zbatohet gjashtë muaj nga data e hyrjes në fuqi të Ligjit për menaxhimin e mbeturinave. “Do të formohet një inspektim në nivel shtetëror, detyra kryesore e të cilit do të jetë kontrolli i zbatimit të planeve lokale të menaxhimit të mbetjeve komunale. Arsyet për një zgjidhje të tillë ligjore janë mbi të gjitha joefikasiteti i mbikëqyrjes së inspektimit komunal dhe policisë komunale”, bëri të ditur ministrja e Ekologjisë.

Ministrja e Ekologjisë përmendi Programin e Përgjegjësisë së Zgjeruar të Prodhuesit si pikën e tretë kyçe të ndryshimeve të propozuara.

Përgjegjësia e zgjeruar do të thotë që importuesit dhe prodhuesit në Mal të Zi kanë përgjegjësinë e përgjithshme organizative dhe financiare për të asgjësuar produktet e përmendura kur ato bëhen mbetje.

“Unë pres që të gjitha institucionet, si lokale ashtu edhe shtetërore, të përfshira në zbatim, të kryejnë me përgjegjësi punën brenda juridiksionit të tyre”, përfundoi Novakoviq Gjuroviq.

SHARE