VENDOSET GURËTHEMELI I OBJEKTIT TË RI TË TV BOIN

Foto: TV BOIN

Televizioni Boin, media e parë në gjuhën shqipe në Mal të Zi, shënoi sot një moment historik me vendosjen e gurëthemelit të ndërtesës së re të këtij institucioni, i cili që nga themelimi i tij ka qenë zë i rëndësishëm i komunitetit shqiptar në këtë vend.

Mërgata shqiptare, gjegjësisht Këshilli nga Diaspora, për ndërtimin e objektit të ri të TV Boin, ka vendosur që në shenjë mirënjohjeje për punën e bërë ndër vite, ti dhuroj këtij institucioni mediatik, një objekt të ri. 

Në këtë ngjarje morën pjesë kryetari i komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj me bashkëpunëtorët e tij, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ambasadori i Kroacisë në Mal të Zi, Veselko Grubishiq, klerikë fetarë Dom Nosh Gjolaj dhe Xhevahir Arifaj si dhe dashamirës të shumtë të këtij Televizioni.

Me këtë rast, të pranshmit i përshëndetën: përfaqësuesi i Këshillit të Diasporës, Kolë Ivanaj, anëtari i Këshillit dhe një ndër iniciatorët e parë të këtij aktiviteti, Dom Nosh Gjolaj si dhe kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj.

Po ashtu, në pamundësi të të qënurit prezent, kryetari i Këshillit nga Diaspora, Joseph Dedvukaj, në redaksinë e TV Boin ka dërguar një shkresë e cila u lexua në tërësi.

Folësit e përshëndetën këtë iniciativë dhe e vlerësuan këtë investim si një kontribut të rëndësishëm për informimin e komunitetit shqiptar dhe ruajtjen e identitetit kulturor e gjuhësor.

Sipas traditës, mbas fjalëve përshëndetëse u vendos gurëthemeli për ndërtimin e objektit të ri nga: Kolë Ivanaj, Dom Nosh Gjolaj dhe Lindon Gjelaj.

Televizioni Boin është një simbol i bashkimit dhe identitetit shqiptar, do të luajë një rol të rëndësishëm në mbajtjen gjallë të kulturës dhe traditës shqiptare, duke ofruar një platformë të fortë për informim, argëtim dhe edukim shqip.

SHARE