KOSOVA DHE SHQIPËRIA ME MARRËVESHJE PËR ZBARDHJEN E FAKTEVE GJATË PERIUDHËS SË KOMUNIZMIT

Foto: AA

Instituti Albanologjik në Prishtinë në bashkëpunim me Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Tiranë kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi mes dy palëve për zbardhjen e fakteve gjatë periudhës së komunizmit, raporton Anadolu.

Marrëveshja u nënshkrua në hapësirën e Institutit Albanologjik në Prishtinë ku në të njëjtën kohë u hap edhe ekspozita me dokumente dhe fotografi të papublikuara më parë, me titull “Persekutimi komunist i hartuesve të alfabetit shqip dhe familjarëve”.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik në Prishtinë, Naim Berisha tha se ky moment shënon një akt të rëndësishëm reflektimi mbi sakrificat e atyre që vunë themelet e gjuhës së shkruar shqipe.

“Nëpërmjet kësaj ekspozite, ne sjellim në vëmendje një pjesë të rëndësishme të historisë sonë, një trashëgimi të çmuar që na kujton vlerat e lirisë dhe identitetit kombëtar. Historia e alfabetit shqip është e lidhur ngushtë me përpjekjet për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe zhvillimin e arsimit shqip. Hartuesit e tij, përballë presioneve dhe ndëshkimeve të rënda, nuk u tërhoqën nga ideali i një kombi të arsimuar dhe të lirë”, theksoi Berisha.

Ai tha se bashkëpunimi i Kosovës me Shqipërinë do të kontribuojë në avancimin e projekteve të përbashkëta dhe do të mundësojë shkëmbimin e njohurive midis dy vendeve.

Drejtori i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Çelo Hoxha tha se kanë dokumentuar persekutimin e 46 mijë viktimave të komunizmit me botimin e një vepre 12-vëllimshme. Ai theksoi rëndësinë e informimit publik për zbardhjen e historisë.

“Deri tani kemi arritur të evidentojmë viktimat e persekutimit komunist dhe për këtë kemi botuar një vepër të plotë me 12 vëllime, Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist, ku kemi dokumentuar mënyrën e persekutimit të rreth 46 mijë personave”, theksoi Hoxha.

Ai shtoi se regjimet komuniste kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin pavarësisht se Kosova dhe Shqipëria ishin dy shtete të ndara dhe interesi është të zbardhet historia e vërtetë, sidomos në vitet e para të regjimit komunist, në vitet e 70-ta, ku janë të mbushura me vrasje.

SHARE