OPOZITA PROTESTË KOMBËTARE PARA KRYEMINISTRISË

Në Shqipëri është mbajtur protesta e radhës antiqeveritare, organizuar nga partia opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe me mbështetjen e disa partive të tjera të opozitës.

Protesta para selisë së Këshillit të Ministrave të Shqipërisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, sipas organizatorëve është mbajtur për mbrojtjen e “pluralizmit, demokracisë dhe votës së lirë”.

Gjithashtu partitë e opozitës akuzojnë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, sipas tyre për lidhje dhe korrupsion me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal, duke kërkuar edhe komision hetimor parlamentar mbi pretendimet e tyre.

Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe deputeti i PD-së, Sali Berisha, në fjalën e tij në protestë tha se “do triumfojmë edhe në këtë betejë si misionarë të revolucionit demokratik”.

“Sot, secili prej jush është në një mision të madh për veten, fëmijët, kombin e tij. Një mision që do u japë shqiptarëve Shqipërinë e shekullit të 21-të. Vështirësitë janë të mëdha, por këtë mision e përmbushin studentët, që punojnë paradite në shkollë dhe pasdite nxjerrin disa të ardhura. Në darkë punojnë për të shkruar parullat e kësaj proteste”, tha Berisha, duke iu drejtuar protestuesve.

Ish-presidenti i Shqipërisë dhe kryetari i partisë opozitare, Partisë së Lirisë, Ilir Meta, gjatë fjalës së tij tha se janë në protestë sepse sipas tij “është tronditur në themel siguria juridike”.

Ndërkohë, disa mbështetës të opozitës protestuan edhe para selisë së Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, në kohën që po mbahej seanca gjyqësore mbi mosmarrëveshjet mes palëve për drejtimin e PD-së.

Disa protestues vendosën në ambientet e jashtme të gjykatës edhe pankartën me mbishkrimin “Në demokraci opozitën e zgjedh populli, jo gjykata”.

Në Tiranë gjatë muajit shkurt janë mbajtur disa protesta të tjera antiqeveritare.

SHARE