NË TUZ JANË SIGURUAR KUSHTET PËR VOTIM TË PERSONAVE ME AFTËSI TË KUFIZUARA

Shoqata e të Verbërve të Malit të Zi bëri të ditur se janë krijuar kushtet për votim të pavarur dhe të fshehtë të personave me aftësi të kufizuara (PAK) në zgjedhjet lokale në Komunën e Tuzit.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komisionit Komunal Zgjedhor, Edmond Ujkaj.

“Me qëllim që personat me aftësi të kufizuara të votojnë pa pengesa, Komisioni Komunal Zgjedhor i Tuzit, në komunikim me Shoqatën e të Verbërve të Malit të Zi, ka ofruar kushte adekuate votimi për zgjedhjet e ardhshme lokale për personat me aftësi të kufizuara”, tha Ujkaj.

KKZH-ja e Tuzit thekson se janë siguruar elemente për lëvizjen e lirë të personave me shikim të dëmtuar, si dhe janë vendosur tabela në të gjitha vendvotimet.

KKZH po ashtu thekson se gjatë edukimit të këshillave të votimit, ligjëruesit kanë theksuar dhe shpjeguar detyrat e këshillit zgjedhor në ditën e votimit, veçanërisht në pjesën e votimit të PAK.

Komisioni Komunal Zgjedhor në Tuz thekson se do t’i plotësojë kushtet e deklaruara gjatë zbatimit të veprimeve të nevojshme edhe për zgjedhjet presidenciale, të cilat do të mbahen të dielën, më 19 mars 2023, me qëllim që procesi zgjedhor të zhvillohet pa probleme dhe të mundësohet personat me aftësi të kufizuara të votojnë pa pengesa.

SHARE