Komisioni Parlamentar për Turizëm, Bujqësi, Ekologji dhe Planifikim Hapësinor pranoi ndryshimet në Ligjin për Pyjet, me qëllim që të ndalohet ripërdorimi i tokës pyjore për 30 vjet pas zjarrit dhe që ky thesar i Malit të Zi të mbrohet më mirë nga sulmi i investitorëve.
Me gjashtë vota për dhe një abstenim, deputetët pranuan ndryshimet e propozuara nga deputeti Marko Millaçiq të cilat i referohen ndalimit të ndërtimit të objekteve në tokën e djegur për 30 vjet.
Millaçiq vuri në dukje se duhet të vendosen dënime më të rrepta për ata që ndezin zjarret.
Deputetja e Frontit Demokratik, Jellena Bozhoviq, dënoi faktin se ministria kompetente nuk jep asnjë koment për këto ndryshime dhe as Qeveria.
“Kjo duhet të mbështetet sepse shikoni prerjet e pakontrolluara në veri të vendit”, tha deputetja e FD-së.
Kryetari i Partisë Boshnjake, Sulo Mustafiq, beson se pasoja e tërbimit të mafias pyjore është se Ligji nuk respektohet në mënyrë konsekuente.
“Unë e mbështes në parim, por dëshiroj të dëgjoj qëndrimin e Qeverisë për këtë çështje”, tha ai. Të njëjtën beson edhe deputeti Genci Nimanbegu, i cili tha se do të përmbahet pasi nuk ka informacion të mjaftueshëm për këtë çështje.
“Nuk kam informacion të mjaftueshëm për të marrë një pozicion, ndaj do të jem i rezervuar”, tha Nimanbegu.
Ministri Vlladimir Jokoviq tha se nuk ka asgjë kundër propozimeve që janë bërë, por se ligji duhet të kalojë nëpër të gjitha procedurat.