HYN NË FUQI LIBERALIZIMI I VIZAVE

Kanë filluar fluturimet e qytetarëve të Kosovës pa viza drejtë vendeve evropiane të Zonës Schengen.

Në një organizim nga Qeveria e Kosovës, mëngjesin e 1 janarit 2024, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” u nisën drejtë Vjenës 50 qytetarë të cilët fituan nga një kuiz i dijes i cili kishte mundësinë që fituesve t’ua ofrojë falas një udhëtim treditor për në Vjenë.

Në ditën e parë të heqjes së regjimit të vizave, për të parë nga afër fluturimet pa viza të qytetarëve ishin prezentë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Dy vajza të reja, shoqe, njëra nga Prishtina dhe tjetra nga Graçanica, Lidia Fazliu dhe Milica Marinkoviq, udhëtojnë së bashku për në Vjenë.

Milica e fitoi udhëtimin në kuiz dhe e ftoi Lidien t’i bashkohej në udhëtim.

“Kështu që tani mund të udhëtojmë pa viza ku të duam. Ky është udhëtimi im i parë, ndaj shpresoj të ketë më shumë”, tha Milica për Anadolu.

“Është kënaqësi që kemi mundësinë të jemi të parët që udhëtojmë pa viza. Shpresoj se do të kemi më shumë mundësi që të dalim dhe të kthehemi në Kosovë”, theksoi Lidija.

Adhurim Bajrami nga qyteti i Vitisë, tha për Anadolu se ka udhëtuar edhe më herët në vendet e Zonës Schengen, por me procedura shumë të mëdha burokratike për të marrë një vizë.

Ai thotë se në përgjithësi ky vendim është shumë i mirë dhe lehtësim për gjithë qytetarët që dëshirojnë të udhëtojnë.

“Vizën e fundit kur e kam marrë, më janë bërë 320 euro shpenzime, tani me ato mund ta paguajë biletën apo t’i heq gjysmën e shpenzimeve të udhëtimit”, theksoi Bajrami.

Kryeministri Kurti dhe ministrja Gërvalla përshëndetën udhëtarët të cilët fituan të drejtën e udhëtimit në Austri dhe mbajtën konferencë në aeroport.

Kryeministri Albin Kurti tha se mbrëmë pas mesnatës ka hyrë në fuqi vendimi për liberalizimin e vizave duke u hequr një padrejtësi që i është bërë Kosovës.

“Kemi pritur shumë gjatë, jemi privuar nga shumë mundësi, prandaj kjo ditë është një ditë e rëndësishme. Po hiqet një padrejtësi e madhe dhe po fitohet një e drejtë e rëndësishme, e drejta e udhëtimit pa viza në Zonën Schengen. Bashkë me të po forcohet edhe pasaporta e Republikës tonë me të cilët qytetarët tanë nga tash do të mund të udhëtojnë pa viza në 32 vende më shumë. Forcimi i dokumenteve tona të udhëtimit, krahas përfitimeve të përditshme, është forcim i identitetit dhe dinjitetit tonë si shtet në arenën ndërkombëtare”, theksoi Kurti.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla tha se të gjithë e dinë se sa para janë shpenzuar për procedura për të marrë viza dhe se sa shumë është pritur para ambasadave për të marrë një vizë.

“S’ka më burokraci të panevojshme, por do të keni mundësi në shtetet e Zonës Schengen të vizitoni familjarët tuaj, të çmalleni. Jo vetëm vizita private, por do të kenë mundësi bizneset e Kosovës të zgjerojnë fushën e tyre të aktivitetit, të sjellin investime më të mira dhe më të qëndrueshme në Kosovë. Studentët dhe të rinjtë do të kenë mundësinë jo vetëm të ekspolorojnë mundësi të reja për studime të reja dhe kualifikim, por edhe të shijojnë natyrën, artin, kulturën, sportin dhe të tjera”, theksoi Gërvalla.

Më 18 prill të këtij viti, Parlamenti Evropian miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, me çka edhe u përmbyllën procedurat vendimmarrëse për këtë çështje.

SHARE