Synimi kryesor i politikës së jashtme të Malit të Zi është anëtarësimi i plotë në BE, për çka i jemi mirënjohës Hungarisë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të vendosur, tha kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq, i cili u takua sot me Peter Sijarto, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, në margjinat e Samitit të Nismës, Ballkani i Hapur në Beograd. Gjatë bisedimeve theks i veçantë u vu në bashkëpunimin ekonomik, veçanërisht në fushën e telekomunikacionit, sektorin bankar, por edhe turizmin, aviacionin, si dhe projektet infrastrukturore, theksuan nga Qeveria. Shefi i Diplomacisë dhe Tregtisë i Hungarisë përsëriti mbështetjen për nismën “Ballkani i Hapur” dhe vuri në dukje se ajo përfaqëson një platformë të mirë për lidhjen ekonomike të rajonit, formimin e një tregu të përbashkët rajonal, tërheqjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.