Qeveria e Malit të Zi ka vendosur që të premten, më 3 qershor, të mbajë seancën konstitutive të Kuvendit të Komunës së Ulqinit. Në Ligj thuhet se Kuvendi i Komunës quhet i formuar në momentin kur zgjidhet kryetari i këtij organi legjislativ. Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj tha se zyrtarët e këtij resori qeveritar do të ndjekin punën e nesërme të parlamentit lokal. Kryeministri Dritan Abazoviq shprehu bindjen se seanca e të premtes do të kalojë në pajtim me kulturën demokratike duke apeluar që institucionet e administratës lokale të mos shndërrohen në cirk. Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakica Fatmir Gjeka tha se në Ulqin po përdhunohet demokracia, po shkelen në mënyrë drastike procedurat ligjore dhe e drejta e qytetarëve për vetëqeverisje lokale.