ZGJEDHJET NË BE, BLLOKU NË ALARM: RREZIK MASIV NGA FUSHATAT E DEZINFORMIMIT

Në muajin qershor mbahen zgjedhjet për Parlamentin Europian, dhe brenda bllokut kanë nisur këmbënat e alarmit nga rreziqet e informacioneve të gabuara që përhapen nga fuqi të huaja.

Çështja është megjithatë, që edhe brenda vetë Bashkimit Europian ka politikanë të cilët nuk druhen të përhapin dezinformata.

Ekip i ngarkuar me detyrën e luftimit të dezinformatave nga shërbimi diplomatik i BE-së, European Union External Action Service, EEAS, që tani ka gjurmuar 750 raste gjatë të cilave aktorë të huaj kanë përhapur me qëllim dezinformata. Pjesa më e madhe e informacioneve të sajuara vijnë nga Rusia, e cila “përpiqet të justifikojë luftën kundër Ukrainës”, siç thonë autorët e raportit.

Ndërkohë, pjesa më e madhe e informacioneve të sajuara drejtohet kundër Ukrainës, pasuar nga informacione të sajuara kundër Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë dhe Polonisë.

Gati 150 institucione, përfshirë edhe BE, NATO dhe kompani mediatike preken prej këtyre informacioneve të sajuara.

Kreu i diplomacisë së bllokut, Josep Borrell e cilësoi këtë problem si një nga rreziqet më të mëdha për çështjet e sigurisë të epokës sonë.

“Nuk kemi të bëjmë me një bombë, që shpërthen dhe vret njerëz, por me një helm, që sulmon trurin,” paralajmëroi ai.

Përhapje informacionesh të sajuara ka pasur gjithnjë, pranon Borrell.

“Por tani ne jemi shumë më vulnerabël, sepse informacione të tilla përhapen me shpejtësinë e dritës”, ndërsa kujtoi se 50 përqind e popullsisë së rritur të botës është thirrur këtë vit të marrë pjesë në zgjedhjet që zhvillohen në 60 vende të ndryshme dhe shumë prej tyre, sipas tij, janë objektiva sulmesh “të aktorëve të huaj keqdashës”.

SHARE