ABAZOVIQ UROI DITËN E KOMUNËS SË TUZIT

Kryeministri i Qeverisë së Malit të Zi Dr. Dritan Abazoviq ka uruar ditën e komunës së Tuzit, kryetarit Nik Gjeloshaj, kryetarit të Kuvendit të Komunës Fadil Kajoshaj, këshilltarëve dhe qytetarëve të Malësisë duke deklaruar se trashëgon vlerat më të mira të traditës dhe arritjet moderne.

“Në emër të Qeverisë dhe në emrin tim personal, më lejoni t’ju uroj Ditën e Komunës, me ndjenjën më të sinqertë të krenarisë, për rezultatet e shkëlqyera ekonomike, kulturore dhe sportive që keni arritur në vetëm pesë vjet, që kur keni marrë statusin e komunës së pavarur. Sukseset që shërbejnë për ta bërë Malin e Zi krenar janë padyshim rezultat i një marrëdhënieje kuptimplote dhe të sinqertë që pohohet reciprokisht në mes të vetëqeverisjes lokale dhe administratës shtetërore, por edhe ndërmjet pjesëtarëve të të gjitha bashkësive fetare dhe kombëtare,” thotë Abazoviq.

Ai më tej theksoi se aktivitetet prioritare të Qeverisë patën mbështetje të plotë nga vetëqeverisja lokale, investitorët dhe qytetarët e Tuzit.

“Zgjerimi i rrjetit infrastrukturor, investimi në kapacitetet prodhuese, krijimi i vlerave të reja, përmirësimi i bujqësisë, promovimi i ofertës turistike dhe potencialit të shkëlqyer natyror të këtij rajoni, dhe lidhjet më të forta rajonale, janë arritje të jashtëzakonshme që, jam i sigurt, do të vazhdoni t’i forconi dhe ti zhvilloni. Të bindur se pa kompromis do të vazhdojmë të forcohemi si vend i harmonisë multietnike, drejtësisë sociale, sigurisë juridike dhe zhvillimit të qëndrueshëm, ju përgëzoj edhe një herë për festën e shënuar”, thuhet në urimin e kryeministrit Abazoviq.

SHARE