Përfaqësuesit e 3 grupimeve kryesore të Parlamentit Europian janë pranë një marrëveshjeje për ndarjen e posteve të institucioneve që drejtojnë unionin.
Ursula von der Leyen e Partisë Popullore Europiane pritet të jetë në krye të Komisionit Europian, për një mandat të dytë.
Ish-kryeministri portugez Antonio Costa është propozuar nga socialdemokratët europianë, për në krye të Këshillit.
Ndërsa liberaldemokratëve u është lënë si posti më i lartë, përfaqësuesi për politikën e jashtme, ku kanë propozuar kryeministren estoneze, Kaja Kallas.
E teksa po diskutohet për emrat e gjithë eurokomisionerëve, këtë të Enjte në tryezë u ftua edhe Giorgia Meloni.
E konsideruar si më e moderuara mes nacionalistëve europiane, Meloni me 24 eurodeputetët e saj mund të jetë një barkë shpëtimi.
3 partitë e mëdha kanë 410 eurodeputetë, 49 më tepër se shumica e nevojshme vendimmarrëse. Por siç shkruan Financial Times, 10% e eurodeputetëve në përgjithësi dalin kundër vendimeve të grupimeve ku bëjnë pjesë.
Duke e pasur të qartë këtë pozitë të saj, Meloni ka vendosur si kusht që si presidente e Komisionit të jetë një figurë më e fuqishme në vendimmarrje dhe jo Ursula von der Lyeen.
Një tjetër alternativë shpëtimi janë edhe të gjelbrit.