Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, ka takuar shefen e misionit të OSBE-së, Dominik Vag.
Gjatë bisedës u diskutua për projektet e shumta që OSBE-ja po i zbaton në Mal të Zi, si dhe për rolin e Misionit.
U theksua mbështetja e madhe në forcimin e institucioneve dhe demokratizimin e shoqërisë.
“Mali i Zi është mirënjohës për mbështetjen që ofroni në fushat e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit, sektorit të sigurisë dhe medias. Jemi të kënaqur që kemi realizuar me sukses projekte të shumta për kaq shumë kohë”, theksoi kryeministri Spajiq dhe shtoi:
Kemi filluar reforma të shumta, disa prej të cilave i kemi përfunduar, por jemi të vetëdijshëm se kemi ende shumë punë për të bërë. Jemi shumë optimistë, sepse shohim që të gjithë janë të përkushtuar që të ngulmojnë në këtë.”
Shefja e Misionit të OSBE-së vuri në dukje rëndësinë e emërimeve në gjyqësor dhe e njohu kryeministrin me projektin e vëzhgimit të gjykimeve për krim të organizuar dhe korrupsion të nivelit të lartë, në bazë të të cilit do të prezantohen rekomandimet për përmirësimin e punës së institucioneve gjyqësore në qershor.
“Ne kemi një partneritet të shkëlqyer afatgjatë me shumë institucione në Mal të Zi dhe synimi ynë është të ndihmojmë reformat kyçe, si reforma zgjedhore dhe ajo policore. Ne vërtet përpiqemi të bëjmë ndryshimin, jemi të shkathët dhe proaktiv në propozimin e projekteve të reja që janë plotësisht të përshtatura me Malin e Zi,” tha Vag.
Gjatë takimit u bisedua edhe për përgatitjet e Strategjisë së ardhshme shumëvjeçare të Misionit, ndërsa hapat konkretë do të përcaktohen pas takimit të përfaqësuesve të OSBE-së dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Gjithashtu u theksua rëndësia e bashkëpunimit rajonal dhe rrjetëzimit të institucioneve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, që është një nga aspektet e përfshira në aktivitetet e Misionit të OSBE-së.