TV Boin është themeluar më 28.11.2001 nga tashmë i ndjeri Tomë Bojaj. Qëllimi kryesor i veprimtarisë së këtij televizioni ka qenë dhe mbetet ruajtja dhe avancimi i të drejtave kolektive e individuale të pakicave, me theks të veçantë në të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi, si pakicë e vetme me gjuhë, tradita dhe kulturë krejt të ndryshme nga gjuha, kultura dhe traditat e popujve dhe të pakicave tjera në Mal të Zi . E tërë veprimtaria e këtij mjeti të informimi publik zhvillohet në pajtim të plotë me ligjet vendore të Malit ZI, Kushtetutën dhe me konventat ndërkombëtare. TV Boin është televizioni i parë dhe i vetmi në Mal të Zi me program 24 orë në gjuhen shqipe, gjuhë kjo që është krejt e dalluar nga gjuhët tjera të rajonit. Ky televizion e filloi punën me emisione të përditshme të ndryshme: kronika, intervista, informata, vështrime, reportazhe etj. duke informuar opinionin në gjuhen amtare, duke pasur parasysh boshllëkun e madh të informimit të popullatës shqiptare në gjuhën e tyre amëtare dhe duke pasur parasysh nevojën e madhe që të dëgjohet zëri i shqiptarëve për problemet të ndryshme që i mundojnë ata. Në këtë menyre ky mjet i informimit ka dhënë dhe jep kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në mbrojtjen nga asimilimi, nga i cili rrezikohet një numër i madh i banorëve shqiptarë në Mal të Zi dhe gjetiu. Programi i Tv Boin është i larmishëm dhe përfshin këto emisione:
- “Emisioni i mëngjesit” – një orë program i drejtëpërdtejtë, me njoftimin mbi ngjarjet e fundit, me informacione nga shëndetsia, kultura, arti etj.;
- Filma vizatimorë- të gjithë në gjuhen shqipe, gjë që ka kontribuar dhe ndihmon shumë në pasurimin e fjalorit shqip tek më të vegjlit;
- Muzikë shqip për fëmijë;
- Emisioni për fëmijë “ Rubrika e fëmijëve”, ku për herë të parë fëmijët dolën para kamerava me recitime, këngë, prezantim të punimeve dhe vizatimeve, vallëzim e deri te drejtimi i emisioneve. E tërë kjo, jo vetëm se pasuron aftësitë shprehëse të tyre, por edhe thyen një barierë që pa emocion të dalin para kamerave dhe opinionit, duke u bërë këdhtu oratorë të mire. Kjo ka ndihmuar mjaft edhe në vazhdimin e shkollimit dhe në karierën e tyre të sukseshshme me vonë;
- Emisioni “ Aktuale” është emision në të cilin paraqiten çdo mbrëmje aktivitetet e perditshme që zhvillohen në Malësi dhe më gjërë me karakter kulturor e shoqëror. Trajtohen problemet dhe gjendja në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, pasqyrohen aktivitete të ndryshme si promovimet e shfaqjet teatrale e muzikore, veprimtaria e ndërmarrjeve vendase, pasqyrohet gjendja e familjeve në kushte të vështira ekonomike, gjë që ka ndihmuar dhe ndihmon realizimin e ndertimit të shumë shtëpive për familje në nevojë dhe në zgjidhjen e problemeve tjera të ndryshme;
- Emisioni “ Studio e Hapur”- biseda me mysafirë të ftuar në studio për tema politike. Nga këtu është dëgjuar dhe dëgjohet zëri në vite me radhë për nevojat të Komunës së pavarur, për të drejtën e perdorimit të simboleve kombëtare etj.;
- “Reportazh”- Bëhet fjalë mbi jetën dhe veprën e figurave me peshë historike për shqiptarët në Mal të Zi, mbi jetën në fshatrat e Malësisë, për objektet kulturore e fetare, për bukuritë natyrore, siç janë bjeshkët dhe vendet tjera atraktive për zhvillimin e turizmit;
- “ Intervistë”- trajtohen tema për sukseset shqiptare, tema shoqërore, psikologjike, sportive, artistike. Intervista me bashkvendësit tanë në emigracion mbi jetën dhe punën e tyre, sukseset dhe ruajtjen e traditave kombëtare në diasporë e të ngjashme;
- “ Të rinjtë në fokus”- bëhet prezantimi i të rinjve shqiptarë, shkollimi i tyre i lartë, punësimi dhe kariera e tyre në fusha të ndryshme;
- “ Femrat e sukseshme shqiptare”- trajtohet jeta dhe kariera e femrave shqiptare të cilat kanë dhenë dhe japin kontribut të pashlyer në shoqërinë tone;
- “ Jeta”- emision kushtuar personave të moshuar, të cilët flasin për jetën dikurshme në Malësi;
- “ BoInfo”- edicioni i lajmeve qendrore dhe “ Lajmet shkurt”;
- “ Ora medica”- emision kushtuar shëndetsisë, në të cilin flasin mjekët më të mirë nga Mali i Zi për mbrojtjen shëndetësore, sëmundjet e ndryshme dhe japin këshillat mjekësore me rëndësi për shëndetin e banorëve.
Prodhim i TV Boin janë edhe të gjitha seancat e Kuvendit komunal që transmetohet drejtpërdrejt, si dhe debatet publike, ligjeratat dhe aktivitetet e organizuara nga Komuna;
Tv Boin ka bërë dhe bën xhirimin dhe transmetimin e dramave të shumta dhe filmave dokumentarë në bashkëpunim me SH.K.A-të në Malësi;
Ky televizion ka një arkivë të pasur 30- vjeçar me mijëra xhirime. Kjo falë angazhimit të themeluesit të tij, i cili kishte një vizion dhe me kamerën e vet filmoi çdo aktivitet kulturor, fetarë, politik e sportiv që nga vitet e 90-ta, xhirime këto që kanë një vlerë të madhe kulturore. Gjithë ky material është mjaft interesant dhe i kërkuar nga opinioni dhe për këtë transmetohen pjesë të ndryshme çdo mbrëmje;
Tv Boin realizon edhe emisionet festive per festat e rëndesishme kombetare, siç janë: 28 Nëntori- Dita e Flamurit kombëtar, 6 Prilli- Dita e Kryengritjes së Malësisë, si dhe programe argëtuese për festat e fundvitit;
TV BOIN me programin e tij vite me radhë trajton tema sociale, promovon balancin gjinor, kulturë, shëndetësi, programe sportive, studio lëvizëse në ditën e zgjedhjeve, programe zbavitjeje dhe lojra (kuiz) për të rinjët, përgatit shumë kronika nga jeta e përditshme etj.;
Tv Boin ka realizuar Kuizin shkollor, që kishte karakter garues, në të cilin ka marrë pjesë një numër i madh nxënësish. Përmes kuizit ata kanë shpalosur njohuritë e tyre;
Kanali i Tv Boin mund të ndiqet nga qytetarët në Mal të Zi permes pakos digjitale Free Air dhe asaj kablovike M:tel, ndersa një shikieshmëri të madhe ka edhe nga diaspora shqiptare në Amerikë permes Albtv. Për t’u qendruar sa më afer teleshikuesëve dhe diasporës në vendet e Europës, Australisë apo kudo që ata ndodhen, bën edhe shperndarjen e materialeve në faqet e TV BOIN, në youtube dhe lajmet në portalin tvboin.com