Foto: Vijesti
Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar për Politico se negociatat mes Brukselit dhe Malit të Zi për anëtarësimin e këtij vendi në Bashkimin Evropian kanë hyrë në vitin e fundit dhe se Mali i Zi është i pari në radhë për t’u bashkuar me bllokun.
Ajo tha se “koha ka ardhur për të nisur negociatat e Marrëveshjes së Anëtarësimit”, ndërsa Komisioni po përgatit në fazën përfundimtare projekt-marrëveshjen.
Hapi tjetër është përcaktimi i masave mbrojtëse që sigurojnë respektimin e detyrimeve të vendeve të ardhshme pas anëtarësimit.
Kos vuri në dukje se vendet kandidate mund të pranohet më shpejt se më parë, por ato mund të përballen me kufizime të caktuara në privilegjet e anëtarësimit.
Kjo, siç shpjegoi ajo, është një mësim i nxjerrë nga zgjerimet e mëparshme të BE-së, përfshirë rastin e Hungarisë. Ajo paralajmëroi nevojën për politika që të parandalojnë “kontribute të kundërshtueshme” ndaj qëllimeve të përbashkëta të BE-së.
Në këtë kontekst, Franca ka theksuar se asnjë fuqi jashtë BE-së, si Rusia apo SHBA, nuk duhet të ndikojë në procesin e zgjerimit, dhe se vendet si Ukraina, Moldavia dhe Ballkani Perëndimor nuk duhet të lihen “në zonën gri” të paqëndrueshmërisë dhe ndikimeve të jashtme.
Komisioni Evropian po shqyrton një qasje “të zgjerimit të kundërt” që mund t’u japë vendeve të ardhshme disa privilegje të kufizuara gjatë procesit të anëtarësimit, duke përfshirë Ukrainën, e cila aspiron të bëhet pjesë e BE-së deri në vitin 2027.
Megjithatë, Franca dhe disa vende të tjera insistojnë që zgjerimi të mbetet një proces i bazuar në merita dhe standarde të larta, për të garantuar suksesin dhe kredibilitetin e integrimit. Ky proces lidhet jo vetëm me stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan dhe Evropë, por gjithashtu me negociatat e paqes që po zhvillohen midis Ukrainës dhe Rusisë, ku BE-ja luan një rol kyç si aktor ndërkombëtar.










