Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq tha se Mali i Zi jo vetëm që është lider në integrimet evropiane, por gjithashtu udhëheq procesin e bashkimit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Ai e deklaroi këtë në hapjen solemne të Akademisë së Tregut të Përbashkët në Podgoricë, ku përveç tij folën edhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Johan Sattler, dhe ambasadori i Gjermanisë, Peter Felten.
Spajiq tha se ngjarjet evropiane janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë.
Sipas tij, procesi i integrimit të plotë nuk përfundon vetëm në letër, por duhet të jetë i gjallë në çdo segment të shoqërisë dhe në çdo institucion.
“Këtu fillon roli i akademisë, e cila do t’u ndihmojë ekspertëve tanë të punojnë si kolegët e tyre në shtetet anëtare të BE-së, duke sjellë hapa konkretë për qytetarët dhe ekonominë. Akademia nuk është vetëm simbol i së ardhmes evropiane, por edhe një instrument që ndihmon në shndërrimin e përditshmërisë në praktikë evropiane,” theksoi Spajiq.
Ai shtoi se kjo nismë do t’i shërbejë tërë rajonit si qendër për mësim, shkëmbim përvojash dhe zbatim të praktikave evropiane.
“Ne po ecim me vendosmëri drejt një të ardhmeje të përbashkët evropiane,” tha Spajiq.
Ambasadori i BE-së, Johan Sattler, theksoi se vetëm një javë pas publikimit të raportit shumë pozitiv të BE-së për Malin e Zi, po dëshmojmë një tjetër ngjarje të rëndësishme, krijimin e akademisë që do të ndihmojë ekonominë dhe qytetarët.
“Qasja në tregun e përbashkët është një privilegj, por sigurisht nuk është e lehtë. Përshtatja është një proces i kërkuar dhe kompleks,” tha Sattler.
Ai shtoi se Mali i Zi planifikon të mbyllë kapitujt negociues me BE-në deri në fund të vitit të ardhshëm, dhe se vendi do të jetë mikpritës i një samiti të rëndësishëm.
Çelësi i progresit, sipas tij, qëndron te institucionet dhe aftësia e tyre për të zbatuar rregullat evropiane.
Ndërkohë, ambasadori gjerman Peter Felten theksoi se Gjermania mbështet rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, duke shtuar se akademia simbolizon këtë mbështetje përmes bashkëpunimit rajonal dhe përgatitjes për pranimin e rregullave të tregut të përbashkët.
Ai theksoi se Mali i Zi mund të llogarisë në ndihmën e Gjermanisë për përshtatjen me rregullat evropiane, përfshirë ato të tregut të përbashkët.
“Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të treguar se si qasja në tregun e përbashkët ndikon në rritjen e tregtisë dhe zhvillimin ekonomik, duke përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve,” theksoi Felten.










