Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Angjella Jakshiq Stojanoviq, ka thënë se risia kryesore e projektligjit është futja e një modeli shumë më fleksibil të studimeve në vend të modelit tradicional 3+2+3, i cili, sipas grupit punues, nuk i përgjigjet nevojave të tregut dhe veçorive të fushave të ndryshme.
Struktura e re e studimeve do të mundësojë:
- Studime bazë me 180 kredi (tre vite);
- Studime pasuniversitare njëvjeçare ose dyvjeçare me 60 ose 120 kredi;
- Studime të doktoraturës me 180 kredi;
- Programe të integruara studimi me 30 deri në 300 kredi.
Kjo, sipas saj, do t’u japë institucioneve të arsimit të lartë më shumë fleksibilitet për të ndërtuar programe që i përshtaten fushave të tyre specifike.
Statusi i studentëve ekzistues është i garantuar.
Studentët që kanë ndjekur studime master prej 120 kreditesh do të mund, pas vitit të katërt, të marrin diplomën e studimeve specialistike, pra me gjithsej 240 kredi. Kjo diplomë do të jetë e barasvlefshme me nivelin aktual 7.1, përkatësisht me studimet specialistike.
Ajo tha se, sipas ligjit të ri, studentët e studimeve themelore dhe pasuniversitare në institucionet publike nuk do të paguajnë shkollim, ndërsa personat me aftësi të kufizuara dhe anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian nuk do të paguajnë shkollim as në fakultetet private.
Ministrja tha se personat që do të emërohen në tituj akademikë do të lidhin kontrata të përhershme pune, dhe për herë të parë, Ministria do të hartojë Rregulloren për regjistrim në studime, që do të jetë dokumenti kryesor për procesin e regjistrimit.
Ajo theksoi rëndësinë e përfshirjes së studentëve në hartimin e dokumenteve zbatuese, pasi ata janë më të ndërgjegjshëm për sfidat reale që përjetojnë.
Ndryshime edhe në përzgjedhjen e kuadrit akademik:
Zgjedhja në tituj akademikë nuk do të kryhet vetëm në Universitetin e Malit të Zi, por edhe në fakultete të pavarura. Gjithashtu, Këshilli për Arsimin e Lartë do të ketë kompetenca për të dhënë mendime mbi tituj akademikë të fituar jashtë vendit. Zgjedhja e rektorit do të bëhet nga Bordi Drejtues, me propozim të Senatit, dhe është parashikuar që të shmangen ndikimet politike apo të tjera përmes ndarjes së qartë të kompetencave – anëtarët e Senatit nuk mund të jenë edhe anëtarë të Bordit Drejtues, ndërsa gjysma e tyre duhet të jenë profesorë të rregullt. Sipas saj, ky model është funksional dhe nuk parasheh procedura të ndërlikuara.