KOSOVË, AFATI PËR APLIKIMIN E SUBJEKTEVE POLITIKE PËR ZGJEDHJET LOKALE PËRFUNDON SOT

Sot në mesnatë mbyllet afati për aplikimin e subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe anëtarë të Kuvendeve Komunale.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se periudha e aplikimit, e cila nisi më 26 qershor, përfundon më 13 gusht në orën 23:59.

Elezi theksoi se subjektet politike kanë të drejtën e plotë të vendosin për llojin e zgjedhjeve ku dëshirojnë të garojnë, si dhe për komunat ku do të kandidojnë.

Ato mund të zgjedhin të garojnë vetëm për Kryetar Komune, vetëm për Kuvend Komunal, ose për të dy pozicionet në të njëjtën komunë.

Deri tani, KQZ-ja ka certifikuar 10 subjekte politike, përfshirë 2 iniciativa qytetare dhe 8 kandidatë të pavarur.

Numri total i kandidatëve të certifikuar është 64, prej të cilëve 5 kandidojnë për Kryetarë Komune dhe 59 për anëtarë të Kuvendeve Komunale.

Zgjedhjet do të mbahen më 12 tetor 2025, ku qytetarët e Kosovës do të zgjedhin kryetarët dhe anëtarët e kuvendeve komunale të komunave të tyre.

SHARE