Foto: Ilustrim
Numri i fëmijëve të moshës parashkollore që nuk regjistrohen në kohë në klasën e parë po rritet vazhdimisht.
Probleme të shpeshta që çojnë në shtyrjen e regjistrimit janë të folurit i vonuar dhe pjekuria emocionale e pamjaftueshme, edhe pse këto nuk janë të vetmet vështirësi që shfaqen në këtë moshë.
Ekspertët paralajmërojnë se teknologjia moderne, përveç përfitimeve që ofron, ndikon dukshëm në këto pengesa zhvillimore.
Po ashtu, një pjesë e madhe e përgjegjësisë bie mbi prindërit, të cilët, për shkak të mungesës së kohës dhe angazhimeve të përditshme, nuk i kushtojnë vëmendje të mjaftueshme fëmijëve, duke i privuar nga ndjenja e përkatësisë dhe marrëdhëniet ndërpersonale.
Drejtoresha e shkollës fillore “Oktoih” në Podgoricë, Jasna Radoviq, thekson se nga viti në vit rritet numri i fëmijëve për të cilët shtyhet regjistrimi në shkollë. Këtë vit, ky numër ka arritur në 45.
“Arsyet më të shpeshta janë pjekuria emocionale dhe sociale, zhvillimi i pamjaftueshëm kognitiv, vështirësitë në përqendrim dhe kujtesë, si dhe çrregullime serioze në të folur”, tha Radoviq për Euronews.
Psikologia Stela Burzanoviq vë në dukje se teknologjia dhe ritmi i shpejtë i jetës në shekullin XXI, përkundër lehtësimeve që sjellin, ndonjëherë pengojnë zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve.
“Fëmijët sot kanë më pak ndërveprime sociale dhe komunikim, gjë që ndikon negativisht në përqendrim dhe zhvillimin e të folurit”, u shpreh ajo për Euronews.
Logopedja Dushica Shqepanoviq thekson se me ndjekje të duhur nga ana e prindërve, vlerësime profesionale dhe trajtime të përcaktuara, nuk ka vend për shqetësim.
Sipas saj, shumë fëmijë me çrregullime të identifikuara mund të arrijnë bashkëmoshatarët e tyre.
“Është e rëndësishme që prindërit të informohen me kohë, që edukatorët, pediatrët dhe të gjithë ata që janë në kontakt me fëmijët të vërejnë dhe të njoftojnë për vonesat në zhvillim, për të bërë vlerësime logopedike në kohë”, tha ajo.
Një tjetër faktor kyç është ndjekja e kopshtit nga mosha e hershme. Kjo jo vetëm që ndihmon në zhvillimin social të fëmijëve, por i përgatit ata gradualisht për shkollën.
“Fëmijët që ndjekin kopshtin, veçanërisht nga mosha trevjeçare, përgatiten për shkollën përmes aktiviteteve të organizuara dhe ndërveprimeve me bashkëmoshatarë”, shtoi Burzanoviq.
Ndërkohë që vonesa në regjistrimin e fëmijëve në shkollë nuk është fenomen i rrallë, ekspertët theksojnë se parandalimi, vetëdijesimi, përfshirja aktive e prindërve dhe bashkëpunimi me profesionistët janë thelbësore për zhvillimin e shëndetshëm dhe të natyrshëm të fëmijëve.