PRESIDENTI MILLATOVIQ: KOHA PËR REFORMA TË THELLA EKONOMIKE NË MAL TË ZI

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, hapi konferencën e organizuar nga Kabineti i Presidentit me titullin “Pse po vonohemi? Si të ecim përpara?”, duke ofruar një pasqyrë të thelluar të gjendjes aktuale të ekonomisë së vendit.

Në këtë ngjarje u prezantuan tri analiza të pavarura, të porositura nga ekipi ekonomik i Presidentit, që tregojnë një tablo shqetësuese të zhvillimeve ekonomike në Mal të Zi.

Në fjalën e tij hyrëse, Presidenti Millatoviq theksoi se vendi ka një potencial të madh, por që në realitet po mbetet prapa.

Ai vuri në dukje se ekonomia është duke u ngadalësuar, çmimet janë në rritje dhe ndërmarrjet shtetërore po humbasin orientimin.

Sipas të dhënave të paraqitura, rritja ekonomike për vitin 2024 ishte vetëm 3%, ndërsa në tremujorin e parë të vitit 2025 kjo normë ra në 2.5%, që përbën nivelin më të ulët të dhjetë viteve të fundit, përveç vitit të pandemisë. Nëse krahasohet me periudhat e mëparshme, si 6.4% mesatarisht në 2022–2023 apo 13% në 2021, rënia është drastike dhe ngjall shqetësim serioz për të ardhmen.

Presidenti gjithashtu foli për rritjen e vazhdueshme të inflacionit që nga shtatori i vitit të kaluar, i cili në maj të vitit 2025 ka arritur në 4.5%, më shumë se dyfishi i mesatares së eurozonës që është 1.9%.

Ai theksoi se kjo situatë nuk është vetëm statistikë, por ndjehet në jetën e përditshme të qytetarëve: njerëzit përballen me zgjedhjen midis pagesës së faturave apo blerjes së ushqimit, rrogat mjaftojnë vetëm për tre javë dhe të rinjtë nuk kanë mundësi të pavarësohen për shkak të kostove të larta të jetesës.

Sipas tij, ky nuk është drejtimi që ekonomia e vendit duhet të marrë.

Një pjesë tjetër shqetësuese e prezantimit lidhej me balancën tregtare, ku është vërejtur një rritje e importeve prej 8%, ndërkohë që eksportet kanë rënë me 0.5% në tremujorin e parë të vitit 2025. Për pasojë, mbulimi i importeve me eksporte ka rënë nga 17.7% në vitin 2023 në vetëm 15% në vitin 2024, që është niveli më i ulët historik i regjistruar ndonjëherë në vend.

Presidenti paralajmëroi se vendi po konsumon shumë më tepër nga sa prodhon dhe se kështu po zhduken mundësitë për zhvillim afatgjatë.

Analiza theksoi gjithashtu ndryshimin negativ në strukturën e investimeve të huaja direkte. Derisa më parë ato përbënin rreth 20% të prodhimit të brendshëm bruto, tani kjo përqindje është ulur në vetëm 7–8%, dhe pjesa më e madhe e investimeve shkon në blerjen e pasurive të paluajtshme, jo në sektorë që krijojnë vlerë të re. Presidenti Millatoviq tha se është koha që investimet të orientohen drejt prodhimit dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.

Në këtë drejtim, ai propozoi disa masa konkrete për përmirësimin e situatës: krijimin e një Fondi të Garancive Kreditore, rritjen e buxhetit për bujqësinë, subvencione për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe një paketë prej dhjetë masash për të frenuar inflacionin.

Sipas tij, Mali i Zi duhet të orientohet drejt prodhimit, eksportit dhe krijimit të një sistemi që funksionon për qytetarët e tij.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua ndërmarrjeve shtetërore, të cilat në vitin e kaluar kanë realizuar të ardhura prej 1.2 miliardë euro dhe punësojnë gati 15,000 persona. Por pavarësisht këtyre shifrave, analizat tregojnë një rënie të fitimit dhe një rritje të numrit të të punësuarve pa përmirësim të efikasitetit, veçanërisht në sektorët e energjetikës, turizmit dhe transportit.

Presidenti u shpreh qartë se ndërmarrjet shtetërore nuk janë plaçkë partiake, por pasuri e përbashkët, dhe ato duhet të menaxhohen me përgjegjësi, transparencë dhe profesionalizëm.

Në sektorin e turizmit, i cili është ndër më të rëndësishmit për ekonominë e vendit, të ardhurat ranë me 3.1% në vitin 2024 dhe me 6.4% në tremujorin e parë të vitit 2025, ndërsa numri i net-qëndrimeve ka rënë për 10%.

Millatoviq deklaroi se turizmi nuk mund të mbështetet në fatin sezonal, por kërkon dije, përgatitje dhe qasje serioze.

Në fund, Presidenti trajtoi edhe çështjen e pabarazisë në shoqëri, duke theksuar se Mali i Zi ka nivelin e dytë më të lartë të pabarazisë në rajon – ku pasuria e 10% më të pasurve është 11 herë më e madhe se ajo e 50% më të varfërve.

Ai përmbylli fjalimin duke theksuar se nuk kërkohet mrekulli, por një shoqëri me mundësi të barabarta dhe një jetë dinjitoze për çdo qytetar që punon ndershëm.

Konferenca u mbyll me një mesazh të qartë: koha për veprim ka ardhur. Pa vonesa, pa mashtrime – vetëm me përkushtim ndaj reformave që sjellin rezultate reale për qytetarët.

SHARE