EVROPA NË SHËNJESTËR, E RRETHUAR NGA KRIZA / 122 MILIONË NJERËZ TË ZHVENDOSUR NGA LUFTRAT

Një raport i ri i Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR) nxjerr në pah një realitet të zymtë: gjithnjë e më shumë njerëz po detyrohen të largohen nga vendlindjet e tyre për shkak të luftës, dhunës dhe persekutimit, ndërsa fondet për ndihmën humanitare po bien ndjeshëm.

Në fund të prillit 2025, numri i personave të zhvendosur me forcë në mbarë botën arriti mbi 122 milionë, duke shënuar një rritje prej dy milionë në vetëm një vit. Sipas raportit, ky numër është dyfishuar në dhjetë vitet e fundit. Megjithatë, burimet financiare për të mbështetur këto njerëz kanë mbetur pothuajse të pandryshuara që nga viti 2015.

Filippo Grandi, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, paralajmëron për një “rrënie dramatike të burimeve” për shkak të ngrirjes së kontributeve nga SHBA-ja dhe uljes së mbështetjes nga vendet e tjera. “Kemi më pak para për të ndihmuar, ndërkohë që kërkesat janë shumë më të mëdha dhe situatat shumë komplekse,” tha ai.

Një nga zonat më të prekura nga kjo krizë është Sudani, ku lufta brutale ka detyruar rreth 14 milionë njerëz të marrin arratinë. Mbi një milion refugjatë sudanezë ndodhen aktualisht në Etiopi, ndërsa Sudani konsiderohet nga UNHCR si vendi me krizën më të rëndë të refugjatëve në botë.

Krizat e tjera të mëdha janë në Afganistan, me mbi dhjetë milionë të zhvendosur, dhe Ukrainë, me gati nëntë milionë. Raporti përfshin edhe personat e zhvendosur brenda vetë vendeve të tyre, të cilët përbëjnë shumicën e të prekurve dhe numri i të cilëve është rritur me më shumë se gjashtë milionë.

Ndërkohë, shumica dërrmuese e refugjatëve jetojnë në vende me të ardhura të ulëta, si Etiopia, e cila strehon rreth 73 përqind të tyre, jo në rajone të pasura si Evropa.

“Evropa është e rrethuar nga një brez vendesh në krizë,” tha Grandi, duke paralajmëruar se ulja e ndihmës humanitare mund të çojë në rritje të lëvizjeve migratore drejt kontinentit. Ai përmendi se aktualisht rreth 250,000 sudanezë ndodhen në Libi, pasi nuk kanë mundur të marrin ndihmë në Sudan apo në vendet fqinje. “Dhe të gjithë e dimë: të shkosh në Libi do të thotë të ecësh përpara, drejt Evropës,” përfundoi Grandi.

SHARE