TRANSPARENCY INTERNATIONAL “THELLËSISHT E SHQETËSUAR” PËR MARRËVESHJEN NDËRMJET MALIT TË ZI DHE EMIRATEVE TË BASHKUARA ARABE

Foto: gradnja.rs

Organizata ndërkombëtare Transparency International (TI) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me Marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme ndërmjet Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA).

“Shtesat e kësaj Marrëveshjeje hapin çështje serioze që mund të rrezikojnë procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, veçanërisht në lidhje me kapitullin për prokurimet publike”, thuhet në deklaratën e degës evropiane të kësaj organizate.

Qeveria e Malit të Zi planifikon që deri në fund të vitit të ardhshëm të mbyllë të gjithë kapitujt e negociatave, dhe që në vitin 2028 të bëhet anëtare e BE-së.

Deri tani, Mali i Zi ka mbyllur më pak se 20 për qind të kapitujve.

Nga Qeveria pritet që deri në fund të qershorit të mbyllen disa kapituj të tjerë, përfshirë edhe kapitullin për prokurimet publike.

Paralajmërimi i TI vjen një ditë para se Kuvendi i Malit të Zi të votojë sërish për këtë Marrëveshje ndërmjet dy shteteve.

TI ka bërë thirrje që deputetët ta rishikojnë tekstin e Marrëveshjes dhe të sigurojnë që të gjitha obligimet ndërkombëtare të jenë në përputhje me kuadrin kushtetues të Malit të Zi dhe të mos rrezikojnë detyrimet ndaj BE-së.

Presidenti i shtetit, Jakov Millatoviq, në fund të prillit ia kishte kthyer Marrëveshjen Kuvendit për rishqyrtim, duke vlerësuar se ajo është në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Malit të Zi.

Kjo Marrëveshje, që parashikon investime prej dhjetëra miliarda eurosh, është nënshkruar në fund të marsit nga kryeministri Millojko Spajiq me zyrtarë nga Emiratet.

Sipas Marrëveshjes, ligjet malazeze për prokurimet publike, tenderët dhe mbrojtjen e konkurrencës nuk do të zbatohen për investitorët nga Emiratet, çka ka nxitur kritika të shumta.  

Transparency International thekson se prokurimet publike janë një fushë shumë e ndjeshme ndaj korrupsionit.  

“Mungesa e transparencës dhe mungesa e mekanizmave kundër korrupsionit në këtë Marrëveshje e rrisin ndjeshëm rrezikun. Duke lejuar përjashtime nga procedurat standarde, kjo Marrëveshje krijon mundësi për favorizime dhe keqpërdorim të fondeve publike.”

Organizata ka kërkuar nga Qeveria që ta rishikojë tekstin e marrëveshjes dhe ta harmonizojë atë me standardet për transparencë, antikorrupsion dhe mbrojtje të konkurrencës.

Gjithashtu, ata kanë kërkuar konsultime publike, ku do të përfshiheshin ekspertë juridikë dhe përfaqësues të BE-së.

Transparency International ka bërë thirrje edhe për Komisionin Evropian që të ndjekë nga afër zbatimin e kësaj Marrëveshjeje dhe ndikimin e saj, për të siguruar që rruga e Malit të Zi drejt anëtarësimit të mos rrezikohet.

SHARE