Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, në kuadër të Samitit ESG Adria në Tivat foli për zhvillimin ekonomik, rolin e lidershipit politik, por edhe sfidat kryesore me të cilat përballet Mali i Zi dhe rajoni në përpjekje për të kapur hapin me pjesën tjetër të botës.
„Mali i Zi dëshiron të jetë shembull se mund të arrihet përparim ekonomik, duke respektuar të gjitha rregullat. Ne duam që, duke mbajtur përgjegjësi të plotë politike dhe ligjore, të krijojmë kushte për krijimin e vendeve të reja të punës, përparimin ekonomik dhe një jetë më të mirë për qytetarët,“ tha Spajiq.
Kryeministri foli në panelin me titull “Siguria, besimi, rritja” kushtuar investimeve dhe sigurisë juridike dhe me atë rast vuri në dukje se Evropa duhet të gjejë një mënyrë për t’iu përgjigjur pjesës tjetër të botës, e cila po bën përparim të shpejtë ekonomik.
„Në Mal të Zi njerëzit mendojnë se ne i bëjmë gjërat shumë shpejt, por jemi të ngadaltë, krahasuar me nevojat e biznesit. Duhet të jemi më të shpejtë, sepse vetëm kështu mund të kemi sukses. Duhet të ecim me hapa më të shpejtë për të arritur më të avancuarit. Shpejtësia, duke respektuar të gjitha normat ligjore, aktualisht do të thotë jetë në kuptimin ekonomik. Këtë duhet ta kuptojmë. Ne duhet të heqim barrierat e biznesit, gjithçka që pengon rritjen dhe bën që bizneset të shkojnë në pjesë të tjera të botës.“
Kryeministri tha se Qeveria po bën gjithçka për të tërhequr investitorë të besueshëm.
„Investitorë që duan të punojnë në Mal të Zi për një kohë të gjatë, të rriten, investitorë që do t’u japin një shans sipërmarrësve tanë. Kemi shumë të rinj të talentuar të cilëve deri më tani nuk u është dhënë një mundësi reale për të përparuar“, tha kryeministri dhe iu përgjigj pyetjes se si e sheh vendin në dhjetë vjet.
„Në dhjetë vjet e shoh Malin e Zi si një anëtar të BE-së, një vend lider në inovacion, një vend që përfaqëson hyrjen e kompanive më të mëdha në rajon. Ky është vizioni që na udhëheq, sepse ne duam t’i sjellim vlerë të shtuar BE-së, dhe jo të jemi një vend që ka nevojë për ndihmë nga anëtarët e tjerë.“
Gjatë tre ditëve, Samiti mblodhi rreth 700 pjesëmarrës, zyrtarë të rangut të lartë, përfaqësues të qeverisë, liderë biznesi, vendimmarrës, sipërmarrës, media dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare nga rajoni dhe bota.
Më shumë se 140 folës me famë botërore, përfaqësues nga më shumë se 300 kompani dhe më shumë se 60 liderë të rinj nga rajoni kanë mundësinë të prezantojnë praktikat më të mira të biznesit dhe të diskutojnë zhvillimin e qëndrueshëm, inovacionin dhe tranzicionin e gjelbër.