BISEDIMET E REJA PËR UKRAINËN THEKSOJNË PËRÇARJET MES SHBA-së DHE EVROPËS

Foto: AP

Një javë tjetër e mbushur me planifikime ushtarake dhe diplomaci do të nxjerrë sërish në pah përçarjet mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj evropianë sa i përket politikës ndaj Ukrainës, me dy takime kyçe të njëpasnjëshme në selinë e NATO-s në Bruksel.

SHBA do të mungojë në takimin e parë dhe pritet të mos ketë ndonjë rol të rëndësishëm as në të dytin, pasi vendet evropiane synojnë të ecin përpara me planet e tyre.

Takimi i parë, më 10 prill, do të mbledhë Ministrat e Mbrojtjes nga siç njihet “koalicioni i vendeve të gatshme për veprim”, që përfshin edhe vende jashtë Evropës si Kanadaja dhe Australia.

Ky grup prej 30 shtetesh u krijua në fillim të marsit pas një përplasjeje të ashpër mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Shtëpinë e Bardhë. Një nga objektivat kryesore të këtij koalicioni është formimi i një force ushtarake që do të dislokohej në Ukrainë pas një armëpushimi ose marrëveshjeje paqeje.

Por një problem i madh për krijimin e kësaj force është mungesa e mbështetjes nga SHBA. Shumë vende, përfshirë Britaninë, kanë deklaruar se kjo do të ishte e mundur vetëm me një “garanci nga SHBA” – që nënkupton mbështetje ajrore, logjistikë dhe inteligjencë.

Deri më tani, nuk ka sinjale të qarta nga SHBA-ja që do ta marrë këtë rol.

Ish-komandanti i NATO-s në Evropë, Philip Breedlove, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk besonte se ekziston vullneti politik në Uashington për ta bërë këtë – por theksoi se Evropa duhet të ecë përpara me planet e saj gjithsesi.

“Nëse z. Putin sheh përtej gardhit një koalicion të madh të të gatshmëve, që përfshin Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, ai do të mendohet dy herë”, tha ai.

Nuk është ende e qartë nëse Gjermania do të marrë pjesë në ndonjë prani ushtarake në Ukrainë, pasi vendi ndodhet në një periudhë tranzicioni politik pas zgjedhjeve të shkurtit dhe është në proces formimi të një qeverie të re.

Britania dhe Franca po udhëheqin koalicionin, duke premtuar përkrahje ushtarake për misionin, dhe do të jenë mikpritës të takimit të 10 prillit.

“Unë mendoj se Evropa mund ta bëjë këtë vetë”, tha Breedlove.

Megjithatë, përfshirja e SHBA-së mbetet ende një pikë kyçe në agjendë.

SHARE