Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Sot në Kuvendin e Malit të Zi në bashkëpunim me komunitetin hebre në Mal të Zi u organizua një program simbolik për shënimin e 27 janarit – Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Në hapjen e ekspozitës “Gjurmët e Dritës – Të jesh grua në Holokaust”, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, tha: se Holokausti ishte një “krim i paprecedentë kundër njerëzimit”, për këtë arsye, thotë Camaj, “përkujtimi i kësaj dite është një mundësi që, duke nderuar dhe kujtuar miliona viktima të pafajshme, t’u bëjmë thirrje qytetarëve të botës që të kultivojnë dashurinë, dhembshurinë, mirëkuptimin dhe paqen në vend të radikalizmit, ekstremizmit, totalitarizmit, antisemitizmit, ksenofobisë dhe formave të tjera të urrejtjes.
Camaj shtoi se kjo ekspozitë flet për faktin se edhe në momentet më të vështira të mungesës së shpresës, dinjiteti njerëzor nuk ka çmim.
“Kështu që, “Gjurmët e Dritës” në ato kohë ishin pikërisht dashuria, mëmësia, kujdesi për të tjerët, miqësia, besimi, por edhe arti dhe feminiliteti,“ theksoi nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi.
Në emër të komunitetit hebre në Mal të Zi foli Miriam Balken, duke tërhequr vëmendjen e veçantë për historitë e grave gjatë Holokaustit.
Ekspozita “Gjurmët e Dritës”, e mundësuar nga Muzeu „Yad Vashem“, na zbulon jo vetëm tragjedinë e grave që humbën familjet, shtëpitë dhe të drejtat themelore të njeriut, por edhe guximin e tyre për të mbijetuar dhe ruajtur dinjitetin e tyre”, theksoi Balken.
Ajo shtoi se përmes tragjedisë, gratë ruajtën kulturën dhe traditat fetare, duke dhënë shpesh forcë morale dhe shpresë.
“Ato kanë ruajtur shpirtin, mendimin, recetat, këngët dhe historitë, duke dhënë frymëzim dhe dritë në momentet më të errëta”, tha Balken.