KURTI NË KROACI, FLET PËR SULMIN E FUNDIT TERRORIST NË KOSOVË

Foto: Kryeministria e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën e përbashkët me homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq ka folur për sulmin e fundit terrorist në Kosovë. Kreu qeveritar tha se ky sulm i fundit që është bërë nga profesionistë terroristë në kanalin Ibër- Lepecit është i ri për nga natyra, në kuptimin që tash është shënjestruar popullsia civile.

Kreu qeveritar tha se ka persona që po mbahen në burg e që po hetohen, derisa ka treguar se është konfiskuar shumë armatim e municion, por edhe uniforma e emblema prej të cilave edhe të njësive të ndryshme ruse.

“Ky sulm i fundit që është bërë nga profesionistë terroristë në kanalin Ibër-Lepecit është i ri për nga natyra, në kuptimin që tash është shënjestruar popullsia civile. Më herët kemi pasur sulme ndaj Policisë së Kosovës, ndaj ndërtesave zyrtare komunale, por kësaj radhe në shënjestër është popullsia civile sepse furnizimi me ujë dhe prodhimi i energjisë, që është jetik edhe për qytetarët edhe për bizneset, ka qenë shënjestër. Janë arrestuar disa persona. Ka që po mbahen në burg edhe tash që po flasim. Hetimet po zhvillohen, kemi konfiskuar shumë armatim e municion, por edhe uniforma e emblema, 20 prej të cilave të njësive të ndryshme ruse. Duhet të presim cili do të jetë përfundimi i këtyre hetimeve, por ne konsiderojmë që gjithçka tregon që këtë nuk e kanë bërë qytetarë të zakonshëm dhe se na bëjnë të besojmë që një sulm i tillë vjen i mbështetur, i orkestruar nga Serbia siç ishte sulmi në Banjskë apo atë me sulmin mbi KFOR-in, apo edhe rrëmbimi i tre policëve tanë në Leposaviq”, ka theksuar Kurti.

Ai ka thënë se kufiri mes Kosovës e Serbisë është më i gjatë se ai me tri vendet tjera që rrethohet, me Shqipërinë, Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut dhe një pjesë e konsiderueshme është reliev malor për çka tha se ka edhe vështirësi në kontrollimin e tij të përpiktë.

“Qeveria e Kosovës është parasegjithash e mbi të gjitha në raport me Serbinë siguri e kufijve tanë të cilët kanë një gjatësi prej 380 mijë kilometra. Kufiri që kemi me Malin e Zi , Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut është më i shkurtër se sa kufiri që kemi me Serbinë ku një pjesë e konsiderueshme është edhe reliev malor andaj edhe kemi vështirësi në kontrollimin e tij të përpiktë gjatë tërë kohës. Sidoqoftë, ne po i ngrisim kapacitetet tona dhe për këtë kemi bashkëpunim me vendet aleate të NATO-s, e te Kroacia shohim një partner kyç”, shtoi ai.

Sipas kryeministrit, nervoza në Beograd po përkthehet në agresivitet ndaj Kosovës, meqë kur nuk e  kontrollojnë më Kosovën atëherë mbështetin sulme të tilla terroriste.

Kreu qeveritar ka thënë se me Serbinë duan normalizim të marrëdhënieve, njohje reciproke.

“E kemi marrëveshjen në Bruksel nga 27 shkurti i vitit të shkuar dhe aneksin e zbatimit nga 18 marsi në Ohër, atë duhet ta respektojmë e zbatojmë. Kosova është konstruktive, e përkushtuar dhe gjithmonë kreative në gjetjen e zgjidhjeve si dy shtete të pavarura që synojnë fqinjësi evropiane”, ka nënvizuar kryeministri Kurti.

Kurti: Serbia nuk është shtet demokratik, është kthyer në atë që gjithmonë e kemi ditur, një shtet paramilitarë

Tutje kreu qeveritar tha se Serbia nuk është shtet demokratik. Sipas tij për një shekull e gjysmë në Serbi ka pasur vetëm rreth 2 vjet e gjysmë demokraci.

“Serbia nuk është shtet demokratik, atje nuk respektohen të drejtat e njeriut as të drejtat e pakicave. Nuk besojnë tek pluralizmi politik, nuk ka sundim të ligjit e mu për këtë ka protesta të tilla të ashpra studentore. Kam përshtypjen se Serbia është vetëm formalisht republikë, ndërsa është e pamundur që të bëhet mbretëri edhe në kuptimin përmbajtjesor. Tani në këtë hendek janë kthyer në atë që gjithmonë e kemi ditur, një shtet paramilitarë. Tek ne e qojnë Milan Radoiçiqin që të ndërmarrë aksione terroriste, ndërsa në Beograd i rrahin studentët. E dimë nga përvoja historike se si përfundon kjo gjë. Beogradi duket që nuk ka nxjerrë asnjë lloj mësimi nga e kaluara e vetë”, tha kryeministri.

Tutje, Kurti tha se marrëveshja e Brukselit është e modeluar sipas dy Gjermanive të viteve të 70-ta, që i bie njohje e ndërsjellë de fakto.

“Pra kemi marrëveshje dhe ujdi për zbatimin e asaj marrëveshje, por që çdo javë Beogradi ndërmerr shkelje anësore të kësaj dhe nuk i përmbahet asaj marrëveshje. Ne mendojmë që kemi më shumë se dialog sepse kemi marrëveshje. Insistojmë që Brukseli të ushtrojë presion ndaj Beogradit që ata të respektojnë marrëveshjen e sa më parë ta implementojmë atë e në atë mënyrë të arrijmë normalizimin e marrëdhënieve si dy shtete normale. Kosova është shtet normal, kemi rritje ekonomike të shquar nga 6 për qind të bruto produktit vendorë në 4 vitet e fundit. Kemi progres demokratik, pra në marrëdhëniet tona normale duhet të përmbajnë edhe një Serbi normale e këtu Brukseli mund të ndihmojë shumë më shumë se sa që bënë aktualisht”, tha ai.

Edhe kryeministri kroat Plenkoviq ka përmendur sulmet nga grupe serbe në veri të Kosovës që nga viti i kaluar. Ai ka thënë se nuk mund të pritet rezultat i shpejtë por se rëndësi ka që procesi të jetë paqësor dhe të ketë më shumë bisedime mes të dyja palëve.

“Besojmë te dialogu mes Kosovës dhe Serbisë që të rezultojë me normalizim dhe të përfundojë me njohje të ndërsjellë dhe funksionimin që çon te pozita që Kosova të ndërmarr rrugëtimin drejt BE-së. Janë pesë shtete të BE që nuk e kanë njohur Kosovën dhe ky proces mund të mos jetë i shpejtë”, ka thënë Plenkoviq.

SHARE