Foto: BalkanWeb
Sot është dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, i cili 116 vite më parë u unifikua në Kongresin e Manastirit.
Por, kjo ditë përkon edhe me prezantimin e një Fjalori të ri të Gjuhës Shqipe që do të kenë tanimë shkrimatarë, gazetarë, mësues, nxënës dhe të gjithë ata që duan të ruajnë shqipen.
Drafti i Fjalorit te ri, i hartuar nga Gjuhëtare të shquar si Prof Jani Thomai, Prof.Valter Memishaj, Prof.Gjovalin Shkurtaj e Shezai Rrokaj u prezantua në Kuvendin Kombëtar për Gjuhën Shqipe. Ky Fjalor do të ketë 8000 faqe A4 është pasuruar pothuajse 2.5 herë më shumë me fjalë, shprehje frazeologjike apo shprehje të huaja që kanë qenë në përdorim, por që nuk i gjeje në fjalorin e vitit 1980, që është përdorur deri më sot.
Por, Gjuha Shqipe po keqpërdoret gjithnjë e më shumë. E për ta mbrojtur atë, gjuhëtarët kërkojnë miratimin e një ligji për gjuhën.
Për të hartuar këtë fjalor, janë bërë bashkë 55 studiues e akademikë nga të gjitha trevat shqipfolëse për të krijuar këtë vepër.
Fjalori i madh i gjuhës shqipe është një nga tre veprat madhore që Akademia e Shkencave ka ndërmarrë katër vjet më parë bashkë me enciklopedinë shqiptare.
Gjatë prezantimit, ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, vuri theksin te simbolika e prezantimit në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
“Në datën 22 nëntor, ne kujtojmë një nga momentet më domethënëse të historisë sonë kombëtare, Kongresin e Manastirit. Sot, 116 vite më pas, përmes këtij fjalori, ne vijojmë të përmbushim atë mision të rilindësve për ruajtjen e identitetit dhe forcimin e gjuhës sonë amtare. Ky fjalor është më shumë se një thesar fjalësh. Është një dëshmi e kulturës sonë shprehimore dhe e rrugëtimit të gjuhës shqipe. Me rreth 120 mijë fjalë, ky fjalor përfaqëson një arkiv të gjallë të trashëgimisë sonë gjuhësore dhe një mjet të fuqishëm për studiuesit, nxënësit dhe çdo përdorues të gjuhës shqipe”, tha Ministrja Manastirliu.
Manastirliu ka theksuar se ky fjalor është dëshmi e gjallë se “gjuha shqipe mbetet kumbona që bashkon identitetin, historinë dhe shpirtin tonë kombëtar”.