Në Bashkimin Evropian vazhdojnë të thonë se masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura në vitin 2023, janë të përkohshme dhe se ato mund të hiqen, varësisht veprimeve në terren.
Për heqjen e masave, sipas zyrtarëve në Komisionin Evropian, është i nevojshëm pajtimi i të gjitha shteteve anëtare. Kështu tha më 15 nëntor zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, Peter Stano.
“Përgjigja është sikurse herën e fundit. Çështja është duke u shqyrtuar në Këshill dhe do të vendoset nga vendet anëtare pa marrë parasysh se kur do të nisin mandatin institucionet e reja”, u përgjigj Stano në pyetjen se a do të hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës para përfundimit të mandatit të Komisionit aktual Evropian apo do të pritet përbërja e Komisionit të ri.
Përfaqësuesi në largim i politikës së jashtme të bllokut, Josep Borrell e kishte rekomanduar heqjen e masave në fjalë. Por fat ii kërkesës së tij mbetet i paqartë, edhe pse për këtë po bisedohet vazhdimisht në grupet e punës së bllokut ku marrin pjesë vendet anëtare.
Sipas burimeve diplomatike të BE-së, në diskutimet e fundit për këtë temë, shumica e shteteve anëtare kanë qenë në favor të heqjes së masave, askush nuk ka qenë në mënyrë të prerë kundër heqjes së tyre, por ka pasur dallime rreth asaj se si dhe kur do të bëhet një gjë e tillë. Masat ndëshkuese ndaj Kosovës u vendosën vitin e kaluar për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Ndërkohë, Kaja Kallas, si shefe e re e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, e ka mundësinë ta riformojë qasjen e bllokut ndaj dialogut Kosovë-Serbi. Megjithatë, në seancën e saj të konfirmimit, ajo nuk foli pothuajse fare për këtë çështje – çfarë ngjalli shqetësime në mesin e vëzhguesve lidhur me angazhimin e ardhshëm të BE-së në ndërmjetësimin e paqtimit mes dy vendeve.