MIRATOHET DEKLARATA PËR PËRPARIMIN E MALIT TË ZI DREJT BE-së DHE REKOMANDIMET PËR TË ARDHMEN

Mbledhja e Komisionit Parlamentar të Bashkimit Evropian dhe Malit të Zi për Stabilizim dhe Asociim ka përfunduar sot në Podgoricë me miratimin e një Deklarate të përbashkët me rekomandime.

Takimi dyditor u shënua me një diskutim konstruktiv për rezultatet e arritura, por edhe për sfidat në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Takimi u shënua edhe nga shkëmbimi i mendimeve për gjendjen e negociatave për anëtarësim dhe çështjet kyçe në fushën e sundimit të ligjit, me theks në drejtësinë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe reformën ekonomike, dhe fushën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe ekonomisë së gjelbër.

Deputetët e Parlamentit të Malit të Zi dhe të Parlamentit Evropian u pajtuan se është e nevojshme të vazhdohet me dinamikë intensive sa i përket negociatave mes Malit të Zi dhe BE-së, duke vënë në dukje se është arritur përparim, para së gjithash, në përmbushjen e standardeve të përkohshme për kapitujt 23 dhe 24 në fushën e drejtësisë dhe punëve të brendshme, gjë që u konfirmua edhe përmes miratimit të IBAR-it (Raporti mbi përmbushjen e standardeve të përkohshme) në muajin qershor.

Me këtë rast, deputeti i Forumit Shqiptar Nikollë Camaj tha se pakicat e kanë mbështetur pa rezerva ish-qeverinë për shkak të agjendës evropiane.

“Gjithçka që është arritur në këtë drejtim është edhe për shkak të pakicave – si pavarësia, ashtu edhe anëtarësimi në NATO. Mali i Zi ishte më me fat nga të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë që kishte pakica besnike. Megjithatë, pakicat nuk mundën të ndikojnë në atë që e ndaloi rrugën evropiane, e këto janë korrupsioni dhe krimi i organizuar. Pikërisht për shkak të premtimit se do të luftohet krimi dhe korrupsioni i organizuar, por edhe për shkak se marrëveshja parashikon hapa konkretë për vazhdimin e zbatimit të euroagjendës, partneritetit kredibil me NATO-n dhe bashkëpunimit të mirë me fqinjët, ka ndikuar që pakicat të jenë pjesë e kësaj mazhorance qeverisëse dhe ta mbështesim këtë qeveri”, tha ai.

Camaj theksoi se për pakicat, rruga integruese e Malit të Zi nuk ka alternativë.  

Ai përsëriti fjalët e djeshme të eurodeputetit kroat Tomisllav Sokol se Mali i Zi nuk duhet të bëhet Bjellorusi, por për këtë nevojitet përkrahja e BE-së.

“Për momentin, ne kemi mbështetjen e mbi 80 për qind të qytetarëve për integrim dhe nuk duhet të lejojmë që euroskeptikët ta zbehin atë. E se euroskeptikë ka edhe në Evropë, na e kanë vertetuar para disa ditëve në Budapest, por ka edhe nga ata që janë larguar, e tani ndihen në faj që nuk janë pjesë e Evropës”, theksoi Camaj.

Ai gjatë fjalës së tij tha se mendon që duhet të punojnë të gjithë së bashku, për të bërë diçka që kemi pasur rastin të dëgjojmë në Budapest, e cila është “Make Europe Great Again” dhe nuk mund të jetë “great” (e shkëlqyer) pa ne.

„Prandaj mendoj se Mali i Zi e ka vendin në Evropë e për këtë kemi shumë nevojë për mbështetjen tuaj, në mënyrë që kjo shumicë në mbledhjen e 28-të të Kuvendit të Malit të Zi ta bëjë Malin e Zi anëtarin e 28-të të Bashkimit Evropian deri në vitin 2028,“ tha deputeti Camaj.

SHARE