Qeveria e Kosovës vendosi të heqë masën e ndalimit të importeve të mallrave nga Serbia, mes shqetësimeve se refuzimi mund ta lërë Kosovën jashtë proceseve të rëndësishme siç është Procesi i Berlinit.
Kurti, ka konfirmuar të hënën se në pikën kufitare me Serbinë, Merdare, do të ndryshohet masa e sigurisë për mallrat që nisen nga ky vend.
Ai ka thënë se Qeveria e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi i plotë, në kontroll të shtuar, deri në sigurim të skanerëve të avancuar.
“Kur të na vijnë skanerët, atëherë ata vendosen në të gjitha pikat kufitare, por përderisa nuk na vijnë skanerët, ne do ta hapim vetëm një pikë kufitare, e cila do ta ketë kontrollin e shtuar, pasi masat që kemi janë masa të sigurisë”.
Serbia ka reaguar pas vendimit, duke thënë se është hequr tensioni që ka ekzistuar për kohë të gjatë.
Kurti ka thënë se pret nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian që t’i ndihmojnë Kosovës në sigurim të skanerëve në kufi, për të garantuar që mallrat që hyjnë prej Serbisë nuk përbëjnë rrezik për sigurinë.
Sipas Kurtit, masa kufizuese nuk ka qenë asnjëherë tregtare, por masë e sigurisë.
“Ne duhet të ndërmarrim masa të sigurisë, asnjëherë masa tregtare… ne besojmë që ndryshimi i masës është mëse i mjaftueshëm që pasnesër në CEFTA, dhe të hënën në Proces të Berlinit, të kemi sukses të plotë”.
Ai e ka pranuar se masa kufizuese ka pasur efekt në tregti, por këtë fakt e ka përshkruar si “pasojë” dhe jo “qëllim” të Qeverisë.
“Ka dallim të mëdha kur vijnë farërat e ndryshme, që duhen për një fermë të shpezëve, dhe ato farëra shumë kollaj kontrollohen se a ka në maune armë dhe municion. Mirëpo, kur janë produkte të gatshme, në kuti të vogla, kjo është shumë e vështirë. Nuk mund t’i hapësh të gjitha kutitë. Prandaj kemi kërkuar skanerë. Që një maune të hyjë në skanerë”.
Në javët e fundit, Gjermania ka këmbëngulur se ndalimi i importit të mallrave nga Serbia dëmton Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe Procesin e Berlinit, një nismë që synon të ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe t’i afrojnë ato me Bashkimin Evropian.