Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë protestuar kundër shtypjes dhe diskriminimit që, sipas tyre, po ushtrohet ndaj tyre nga autoritetet e Serbisë.
Protesta e cila u mbajt në Bujanoc, u thirr nga Këshilli Kombëtar Shqiptar i Luginës së Preshevës, ku morën pjesë shqiptarë nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci.
“Kthema adresën”, “Duam libra shqip”, “Dija nuk nostrifikohet”, “Të shtypur po, të nënshtruar jo”, ishin disa nga mesazhet e protestuesve që mbanin gjatë protestës.
Sipas organizatorëve kjo protestë, u organizua si përgjigje për politikat diskriminuese dhe trajtimi i pabarabartë që shqiptarët e Luginës së Preshevës po përjetojnë prej vitesh.
Në protestë morën pjesë deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, dhe shumë personalitete të tjera nga jeta politike dhe shoqërore në Luginë.
Deputeti Kamberi duke folur para protestuesve, tha se diskriminimi si dukuri është i ndaluar për shoqëritë demokratike, siç ka thënë ai, sidomos për një shoqëri që pretendon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian (BE).
“Jemi këtu sepse Qeveria në Beograd po refuzon të respektojë të drejtat tona, po refuzon të na integrojë në organet shtetërore në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, sepse nuk na njeh diplomat. Po na pasivizon, po na diskriminon, po na ngushton hapësirën elementare për jetë normale”, theksoi Kamberi.
Sipas tij, Serbia po shkelë çdo normë ndërkombëtare, duke ua mohuar shqiptarëve çdo të drejtë.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, ka thënë se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë “etnia më e urryer” nga Beogradi zyrtar.
Lutfiu theksoi se nuk do t’i ndalin protestat deri në plotësimin e kërkesave të tyre për trajtim të barabartë.
“Ne jetojmë brenda një shteti ku etnia më e urryer janë shqiptarët, edhe pse ne jemi në tokat tona, nuk i kemi uzurpuar, përkundrazi kemi qenë shumë më shumë sesa jemi sot dhe shumë me gjerë sesa jemi sot”, ka deklaruar Lutfiu.
Gjatë protestës folën edhe profesorë të shkollave në Luginën e Preshevës, që ngritën shqetësim për mungesën e teksteve shkollore në shqip derisa po ashtu edhe studentët shqiptarë ngritën si shqetësim mosnjohjen e diplomave universitare kosovare, nga autoritetet serbe.
Javë më parë, Komisioni Evropian dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, shprehën shqetësimin për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga autoritetet e Serbisë duke theksuar se kjo tendencë e Serbisë bie ndesh me obligimet që ka ky vend për respektimin e të drejtave të pakicave.
Sipas autoriteteve shqiptare në Luginë, deri më tani janë pasivizuar rreth 6.000 adresa në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Serbi, shqiptarët janë minoriteti i katërt më i madhi në numër, me rreth 61 mijë shqiptarë të regjistruar.